Nju Jork, ceremoni dhe vlerësim për “Charlie Hebdo” nën masa të rrepta sigurie

05/05/2015 00:00

E përjavshmja satirike franceze, “Charlie Hebdo”, e cila u bë shënjestër e një sulmi terrorist vdekjeprurës në Janar të këtij vitit prej agresorëve të armatosur islamikë, do të nderohet këtë të martë në një mbrëmje gala, që do të zhvillohet në Nju Jork nën masa tepër të rrepta sigurie, siç thonë organizatorët.

Çmimi, që do të jepet nga Qendra Amerikane PEN, vjen dy ditë pasi dy agresorë të tjerë të armatosur hapën zjarr në një ekspozitë të mbajtur në Teksas, e cila kishte karikatura të Profetit Muhamed, e që konsiderohen si ofenduese prej muslimanëve.

Karikaturat e themeluesit të Islamit ishin gjithashtu në qendër të sulmit të Janarit ndaj zyrave redaksionale të “Charlie Hebdo” në Paris, nga i cili mbetën 12 të vdekur. Dega e Al Kaedës në Jemen mori përsipër përgjegjësinë e sulmit, duke thënë se e përjavshmja kishte fyer Profetin Muhamed me karikaturat e publikuara.

Vendimi i “PEN” për t’i dhënë Çmimin e Kurajos për Lirinë e Shprehjes pikërisht revistës “Charlie Hebdo” shkaktoi tërheqjen nga eventi të 6 prej shkrimtarëve më të shquar, ndërkohë që më shumë se 100 të tjerë shkruan një letër proteste, sipas “PEN”, një organizatë që del në mbrojtje të shkrimtarëve të persekutuar për shkak të detyrës.

Një prej novelisteve të tërhequra, Rachel Kushner, tha se ajo nuk ndihej e rehatshme me “intolerancën kulturore” të “Charlie Hebdo”, bëri të ditur vet organizata. Autorët Peter Carey, Michael Ondaatje, Francine Prose, Teju Cole dhe Taiye Selasi u tërhoqën gjithashtu, siç raporton “New York Times”.

Sulmi i Janarit ngriti pikëpyetje të mëdha mbi tolerancën fetare dhe censurën në Francë, vend që ka një komunitet prej rreth 5 milionë muslimanësh.

Policia dhe agjentë federalë kishin planifikuar masa të ashpra sigurie prej muajsh, përpara eventit të Teksasit gjatë së dielës, por sërish dy agresorë hapën zjarr duke plagosur një oficer policie, pavarësisht se më pas u qëlluan për vdekje në parkingun jashtë ekspozitës.

Organizatorët e “PEN” thonë se siguria do të jetë “mëse e rritur” gjatë eventit. Gerard Biard, kryeredaktor i “Charlie Hebdo”, si dhe Jean-Baptiste Thoret, pjesëtar i stafit, të cilët shkuan me vonesë në punë ditën e sulmit, janë planifikuar të marrin çmimin e dorëzuar nga “PEN”.

Ndërkohë, karikaturisti francez Luz, i cili vizatoi imazhin “Tout Est Pardonne” (Gjithçka është falur) në kopertinën e numrit të parë pas masakrës sërish me Profetin Muhamed, tha gjatë javës së kaluar se ishte lodhur së pikturuari Muhamedin dhe se nuk do ta bënte më këtë.

Top Channel