Juventusi mposht Realin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League

05/05/2015 00:00

Juventusi ka arritur të mposht kampionët e Realit të Madridit 2-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League.

Italianët morën një fitore të rëndësishme në ndeshjen e zhvilluar në “Juventus Stadium” për të synuar një kualifikim të mundshëm për në finale.

Një madrilen ndëshkoi Realin e Madridit që në minutën e 9-të. Alvaro Morata shënoi ndaj ish-ekipit të tij, ku pas një goditje nga Tevez topi nuk u largua ashtu siç duhej nga Iker Casillas dhe përfitoi Morata që nuk e pati të vështirë të shënonte.

Spanjollët arritën të barazojnë që në pjesën e parë, me të përhershmin, Ronaldo, i cili shënoi me kokë në minutën e 27-të.

Ndërkohë, në 45 minutat e dyta të besuarit e Allegri-t gjetën golin e avantazhin me Tevez, i cili ktheu në gol një 11-metërsh në minutën e 58-të.

Pavarësisht përpjekjeve të Realit, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund të takim. Megjithatë, për të vendosur ekipin që do të luajë në finalen do të duhet të presim edhe 90 minutat që do të zhvillohen në “Santiago Bernabeu”. Ndeshja e kthimit të zhvillohet të mërkurën e ardhshme.

Top Channel