Britania ka qenë për një kohë të gjatë në një marrëdhënie urrejtje dhe dashurie me Bashkimin Europian.
Herë pas here në vend hapet debati për një referendum, ku anglezët me votën e tyre do të japin verdiktin nëse do të duan të jenë ose jo pjesë e unionit. Por ky skenar do të realizohet vetëm nëse Cameron do të zgjidhet kryeministër sërish.
Kjo është një strategji me tepër rrezikshmëri, larg nga ajo që Winston Churchill e ka quajtur njëherë Shtetet e Bashkuara të Europës.
Megjithatë, një gjë është e sigurt: një dalje e Britanisë nga Unioni do të ketë një impakt të madh në ekonomi. Disa qeveritarë anglezë pretendojnë se ka ardhur momenti që vendi i tyre të ketë lidhje tregtare me pjesën tjetër të botës, pasi Bashkimi Europian, sipas tyre, po shkon drejt fundit.
Por një sondazh tregon se kjo është një thikë me dy presa për Londrën, sepse edhe nëse do ketë shkëputje nga BE-ja, Anglia sërish do të kërkojë të ketë lidhje me vendet e Unionit, vetëm se përpos tyre do të rrisë bashkëpunimin me Kinën dhe Indinë. Por impakti do të jetë i dyanshëm, të paktën kështu druhen ekspertët. Kjo sepse vetë BE-ja do të vuajë pasojat e largimit të Britanisë, pasi një pjesë e konsiderueshme e buxhetit vjen nga Mbretëria e Bashkuar.
Megjithëse britanikët gjithmonë ankohen se Brukseli ka një rregullore të rreptë që ata e shohin si barrierë.
Ekonomistët dyshojnë se largimi nga BE-ja do t’i kushtojë Britanisë 2,2 për qind të GDP-së së saj. Por cilido qoftë rezultati i referendumit, gjithmonë do të jenë disa gjëra të Europës që anglezët gjithmonë do t’i duan.
Top Channel