Sa do të vonojë liberalizimi i vizave për Kosovën?

06/05/2015 00:00

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian që u mbajt të hënën dhe u thirr nga Presidentja Atifete Jahjaga u diskutua në mënyrë të veçantë mbi liberalizimin e vizave për Kosovën dhe u tha se procesi ka ngecje në disa çështje të rëndësishme.

Për këtë dhe të tjera zhvillime në Prishtinë që lidhen me integrimin europian të Kosovës foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ministri i Integrimeve Europiane në qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku.

Zoti Çollaku u shpreh se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën do të përfundojë gjatë këtij viti, megjithëse shtoi se për këtë nuk mund të ketë një datë të saktë.

***

Pandi Gjata: Lajmi i mirë i ditëve të fundit ishte miratimi në parim i MSA-së. Si do ta vlerësonit miratimin e MSA-së dhe si e ndihmon Kosovën në proceset integruese?

Bekim Çollaku: Mendoj se ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën. Nga retorika shumëvjeçare për perspektivën europiane më në fund Kosova po futet në binarë të sigurt dhe, më në fund është në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së parë kontraktuale që është ligjore, si për Kosovën, edhe BE-në. Mendoj se kjo është një dëshmi tjetër se edhe për Kosovën, po ashtu si të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, dyert e BE-së janë të hapura. Shpejtësia me të cilën ne do të avancojmë në këtë proces do të varet nga dinamika e punës që do të bëhet në Kosovë në aspektin e thellimit të reformave të domosdoshme në sektorë të ndryshëm dhe të përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit, Ai moment është shumë i rëndësishëm dhe kur të ndodhë nënshkrimi dhe ratifikimi i marrëveshjes me siguri që do të konsiderohet si një moment historik për Republikën e Kosovës.

Pandi Gjata: Dy ditë më parë, në këshillin e thirrur nga presidentja u tha se ka ende kritere të mbetura të papërmbushura nga ana e Kosovës. Cilat janë ato
?

Bekim Çollaku:
Çështja e liberalizimit të vizave është një shumë e rëndësishme, sepse ndërlidhet me shumë çështje praktike dhe nevoja të qytetarëve të vendit tonë. Dihet se tashmë Kosova ka mbetur vendi i vetëm në rajon që nuk e gëzon një të drejtë të tillë. Kjo është një dëshpërim i madh për qytetarët e Kosovës. Tani ne nuk jemi në fazën që të kërkojmë llogari për arritjen në këtë gjendje. Ne jemi në fazën përfundimtare të përmbushjes së kritereve të mbetura. Këto kritere nuk janë shumë, por mund të jenë tepër sfiduese në qoftë se ne nuk përkushtohemi maksimalisht për përmbushjen e tyre. Unë si ministër që udhëheq këtë proces kam premtuar se raportin përfundimtar do e dërgoj në javën e parë të muajit qershor. Pra, këtu bëhet fjalë për pak javë për të përmbyllur me sukses çështjet që janë ende të hapura.

Pandi Gjata: Cilat janë këto çështje?

Bekim Çollaku: Disa nga këto çështje janë të natyrës teknike, ndërsa disa të tjera ndërlidhen me një pako ligjore, të cilat ne duhet t’i miratojmë patjetër në Parlament. Sa i përket kësaj të fundit, është një gjë pozitive që në Kosovë ka një konsensus të gjerë për çështje të integrimit europian. Tashmë ne kemi konfirmim nga grupet parlamentare dhe nga kryetari i Kuvendit që kjo pako ligjore do të procedohet në mënyrë të përshpejtuar, në mënyrë që ne të kapim afatet që ne i kemi vënë vetes për të shkuar përpara. Bëhet fjalë për një pako ligjesh që kryesisht mbulojnë gjyqësorin dhe disa ligje të tjera që mbulojnë të Drejtat e Njeriut. Unë jam shumë optimist që me seriozitetin dhe detyrimet që kemi marrë përsipër, ne do t’ia dalim që të mbushim kriteret e mbetura dhe të raportojmë në kohën e duhur.

Pandi Gjata: Kur mendoni dhe kur prisni të merrni një përgjigje nga BE-ja për liberalizimin e vizave? A ka një afat nga ju apo në komunikimet me miqtë dhe partnerët  tuaj në Bruksel.

Bekim Çollaku: Sigurisht që nuk ka një afat. Ai që ekziston, së paku në mënyrë teorike, është se një vend meriton një shpërblim të tillë vetëm atëherë kur përmbush të gjitha kriteret. Komisioni Europian, menjëherë pas dërgimit të raportin tonë, do të dërgojnë një tjetër mision vlerësues në Kosovë. Bazuar në vlerësimet e tyre do të bëhet edhe rekomandimi adekuat nga ana e komisionit europian. Ne jemi të bindur se ky proces i tej zgjatur dhe i vonuar duhet të përmbyllet gjatë këtij viti.

Pandi Gjata: Sa mendoni se mund të ndikojnë brenda BE-së dhe shteteve të veçanta zhvillimet e muajve të fundit, ku pati një dyndje të madhe të kosovarëve drejt vendeve të BE-së? Sa mund ta penalizoi Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave ky zhvillim?

Bekim Çollaku: Një gjë e tillë e pengon në një masë shumë serioze këtë proces. Ne kemi qenë të kujdesshëm që prej vitit të kaluar, kur patën një valë të lartë të emigruesve ta parregullt. Ne kemi marrë masa shumë serioze që ta parandalojmë këtë dukuri dhe si rrjedhojë e këtyre masave ne tani mund të marrim frymë më lirshëm.

 

Top Channel