Kosova takon komunitetin rom: Më shumë mbështetje nga bashkia

06/05/2015 00:00

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie në Tiranë, Halim Kosova ka vendosur që me komunitetin rom të takohet në një ditë të shënuar për ta.

“Ju sot keni festën e Shën Gjergjit, që sipas traditave, lini pas të keqen dhe me fillimin e pranverës filloni të mirën. Unë po ju them diçka, që sa herë t’ju takoj do t’ua them: shfrytëzoni momentin, se ka ardhur koha më në fund në Shqipëri që ju të llogariteni në rezultatin e zgjedhjeve”, u shpreh Kosova.  

Ai kritikoi dhe politikën në vend për apartamentet sociale, të cilat nuk janë shpërndarë: “Nuk ka shembull më të qartë se sa e mbrapshtë bëhet politika për qytetarët e vet, ku një pjesë e mirë jeni ju, kur i mban shtëpitë mbyllur, gati 120 apartamente dhe nuk ua jep njerëzve në nevojë se bëjnë llogaritë me votat”.

Ndërkaq, një prej banorëve i ka dorëzuar kandidatit për kryebashkiak një listë me kërkesa konkrete të komunitetit rom.

“Më the që së bashku do hartojmë një plan pune. Ta gëzosh planin e punës. Siç ka Bibël ka dhe Kuran, ka dhe një plan pune ku mund të shpëtojnë romët”, tha ai.

 

Top Channel