Kerry viziton Somalinë: 20 vjet më parë u detyruam të tërhiqemi, tani jemi pranë jush

06/05/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka bërë një udhëtim të papritur në Somali. Ky takim nuk ishte njoftuar si pjesë e agjendës së tij.

Qëllimi i vizitës e ka justifikuar edhe faktin që e ka gjetur të papërgatitur qeverinë e Mogadishus. Kerry tregoi solidaritetin e tij me vendin për të mposhtur të gjitha grupet e militantëve, si edhe për t’i dhënë fund luftës që ka përfshirë vendin dekadat e fundit.

“Më shumë se 20 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara u detyruan të tërhiqen disi nga vendi juaj, ndërsa tani ne dhe bashkësia ndërkombëtare do të rikthehemi, sigurisht duke pasur shpresa të mëdha për të ardhmen, por të përziera edhe me shqetësime të vazhdueshme. Gjatë këtij çerekshekulli ju keni parë me sytë tuaj vuajtje të mëdha nga dhuna, nga kriminelët, përplasjet sektare, mungesa e tmerrshme e ushqimit, si dhe nga pamundësia për të qëndruar në mënyrë të sigurt në shtëpitë tuaja”, u shpreh Kerry.

Në vitin 1992, avionët amerikanë u qëlluan nga milicitë somaleze, duke shkaktuar edhe 19 viktima. Ndaj këtë herë diplomati më i lartë i SHBA-së e vizitoi Somalinë nën masa të forta sigurie, por si batutë Kerry tha: Kur të rikthehem sërish në Somali, dua që të eci vetë në qendër të qytetit.

Administrata “Obama” ka dhënë një mbështetje të fortë për qeverinë somaleze që të mund të rikthejë faqen e saj për të punuar më shumë me demokracinë.

Gjithashtu, SHBA ka dhënë një mbështetje prej miliona dollarësh për ushtrinë vendase, me qëllim rikthimin e normalitetit në vend.

Top Channel