Tahiri: Korrupsioni në drejtësi është bërë sistem

06/05/2015 00:00

Duke zgjedhur pyetje retorike, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tregoi përmasat e korrupsionit në drejtësi, që sipas tij, është kthyer në sistem.

“I kam ndjekur komentet publike mbi disa vendime gjykatash dhe ashtu si të gjithë ju, pyes: Pse dënohet ai që suvaton shtëpinë pa leje dhe nuk dënohen zyrtarët e shtetit që legalizojnë një kat të tërë pallati që nuk ekzistonte fare? Pse dënohet ai që vjedh energjinë elektrike dhe nuk dënohen zyrtarët e tatimeve që vodhën 6 milionë euro? Çfarë duhet të ndodhë që të bëhemi bashkë e të ulërasim se paska njerëz të pandëshkueshëm në shoqërinë tonë. Apo të themi se drejtësia vendos sipas xhepit: të varfërit i dënon, ndërsa të pasurit i takson”, tha Tahiri.


Nga ana tjetër, atëherë kur përfshirja e të rinjve në kriminalitet është shqetësues, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, zgjodhi një aktivitet të organizuar nga tre ministri për të dhënë mesazhin se shoqëria jonë duhet të punojë me këtë grupmoshë, në mënyrë që t’i mbajë larg krimit.

“Sa të rinj kanë në Facebook foto me armë dhe me drogë? Ka mijëra shembuj”, u shpreh Tahiri.

Shkollat, shërbimi social dhe policia synojnë të jenë së bashku në këtë nismë që kërkon të ketë efekt në parandalimin e krimit tek të rinjtë dhe të miturit.

Top Channel