Nga Vora, Shijaku e Kruja, Basha: Qeveria braktisi të gjitha premtimet

06/05/2015 00:00

Rikandidimi në Vorë për Partinë Demokratike i Fiqiri Ismailit ka bërë bashkë në këtë fushatë Lulzim Bashën me Astrit Patozin, i cili ka kritikuar më herët kreun e opozitës për vonesë në ringritjen e partisë.

Megjithatë, qëllimi i të dyve për të fituar zgjedhjet në Vorë ka lënë mënjanë pakënaqësitë për funksionimin e brendshëm dhe i ka bashkuar të dy në konkluzionin se, shqiptarët nuk meritojnë një qeveri që i mashtroi për të ardhur në pushtet.

“Premtuan 300 mijë vende të reja pune, premtuan uljen e çmimit të energjisë, premtuan se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa. Premtuan se fermerët do të paguanin çmimin e reduktuar të naftës dhe do të përfitonin subvencione për punën e tyre të lodhshme. Premtuan shëndetësi falas, legalizime falas dhe mosprishjen e asnjë objekti, sikur edhe Enver Hoxha të ngrihej nga varri. Braktisën një nga një premtimet e tyre dhe sot, në çdo shtëpi, vepra e tyre, dora e tyre ndihet vetëm si fatkeqësi, si papunësi, si mjerim, apo si burgosje e njerëzve të pafajshëm, të cilëve nuk u ka lënë asnjë mundësi për të shlyer detyrimet e tyre”, deklaroi Basha nga Vora.

Situata ekonomike ishte në fokusin e kryetarit të Partisë Demokratike, edhe kur prezantoi në Shijak kandidatin e opozitës, Redi Saraçi. Lulzim Basha u kërkoi qytetarëve të votojnë kundër përfaqësuesve të një qeverie, që do të mbahet mend për rritjen e taksave dhe rritjen e varfërisë.

“Janë dyfishuar listat nëpër dyqane, ekonomia kërcet nën barrën e rëndë të kërbaçit dhe arbitraritetit qeveritar. Çfarë bëri me paratë që mori nga taksat tuaja? Sa kantiere të reja hapi? Sa vende pune hapi? Zero, për besë. Kantieret e luksit, palmat, kullat e korrupsionit janë treguesit e vërtetë të kësaj qeverie”, tha më tej Basha nga Shijaku.

Ndërsa në Krujë, ku për Partinë Demokratike kandidon Hamdi Pasha, mesazhi i kreut të opozitës ishte vetëdija e shqiptarëve për të mos pranuar nënshtrimin nga keqqeverisja e koalicionit Rama-Meta dhe për t’iu bashkuar ofertës së re të Partisë Demokratike.

“Vërshimi juaj këtu është padurimi për të hapur së bashku rrugën e re, rrugën e re të Shqipërisë dhe shqiptarëve, rrugën e punës, rrugën e dinjitetit për çdo krutan, për çdo shqiptar”, deklaroi kreu i PD-së nga Kruja.

Top Channel