Montmelo; Ferrari, sa shumë evolucion për të frikësuar Mercedesin

06/05/2015 00:00

Ferrari ka mbërritur në Montmelo, të parën garë europiane të këtij sezoni, ashtu siç askush nuk mund ta kishte imagjinuar, pas atij sezoni të dështuar të vitit 2014.

Deri më tani janë koleksionuar 4 podiume, një fitore e Sebastian Vettel në Malajzi, si dhe një vend i dytë i siguruar nga Raikkonen në Bahrein.

Asnjë pilot i Ferrarit, në vitin e tij të debutimit me “kokëkuqen” nuk ka arritur të sigurojë 65 pikë, si 4 herë kampioni i botës Vettel, në 4 garat e para.

Po ashtu, edhe Raikkonen, i cili në prag të rinovimit me skuderinë nga Maranello edhe për një tjetër vit, ka grumbulluar deri tani thuajse të njëjtën sasi pikësh (55), aq sa kishte grumbulluar gjithë sezonin e 2014-s.

Në Spanjë, aty ku gjatë dimrit shkëlqeu gjatë testimeve, “kokëkuqja” do të provojë të frikësojë sërish dy pilotët e Mercedesit, prej të cilëve ka marrë vetëm elozhe.

Ferrari, nga sa duket, nuk do të bëjë ndonjë mrekulli, por në Montmelo pritet të shohim shumë risi të “SF15-T”. Ndryshimi pritet të jetë në aspektin aerodinamik, ndoshta evolucioni më i madh që prej nisjes së sezonit. Krahët, që pësojnë ndërhyrje thuajse çdo garë, do të jenë sërish të ndryshme. Edhe kofano do të modifikohet, por mbi të gjitha do të ndryshojë pjesa e pasme dhe difuzori, që duhet të garantojë më shumë ngarkesë.

Top Channel