Pacquiao paditet në SHBA për mashtrim. Fshehu “dëmtimin në shpinë”

06/05/2015 00:00

Boksieri Manny Pacquiao është paditur në një gjykatë amerikane gjatë së martës, prej dy personave, të cilët janë ankuar se kishin paguar “sa qimet e kokës” për ta parë atë të boksonte kundër Floyd Mayweather, në atë që u konsiderua si “beteja e shekullit”, por u ndjenë të mashtruar prej mosdeklarimit të dëmtimit të supozuar të Pacquiaos në shpinë.

Aktpadia u dorëzua nga Stephane Vanel dhe Kami Rahbaran në një gjykatë federale të Nevadas. Me anë të saj, ata kërkojnë kompensim bazuar mbi ligjin që mbron konsumatorët, si dhe kërkon një vendimmarrje në emër të gjithë atyre që blenë bileta, shikuesve të televizioneve me parapagesë dhe njerëzve që vunë baste për këtë duel.

“Top Rank Inc”, një kompani promovimi që përfaqëson Pacquiaon dhe që u konsiderua gjithashtu palë e paditur në gjykatë, nuk është përgjigjur ndaj kërkesave për komente mbi këtë lajm. As prokurorët që akuzojnë “Top Rank” ashtu dhe Pacquiaon, nuk kanë reaguar.

Pacquiao, shtetas filipinas, humbi me vendim unanim të jurisë kundër Mayweatherit, një shtetas amerikan, në shfaqjen më të trumpetuar mediatikisht dhe ndërkombëtarisht, të zhvilluar në Las Vegas, ditën e shtunë.

Top Channel