Senatori amerikan, nën akuzë. U arrestua me të birin për korrupsion

06/05/2015 00:00

Përfshirje në skema korrupsioni janë akuzat e ngritura ndaj senatorit 67-vjeçar të Asamblesë së Nju Jorkut, Dean Skelos dhe djalit të tij, Adam.

At e bir u prangosën nga FBI-ja të hënën, e me aktpadinë u njohën gjatë paraqitjes në një gjykatë federale. 6 akuzat që rëndojnë mbi ta, përfshirë atë të konspiracionit dhe mashtrimit, kanë të bëjnë me mënyrën si e përdori senatori pushtetin dhe influencën e tij, si udhëheqës i mazhorancës në Senat, për të pasuruar në mënyrë të përsëritur dhe të paligjshme të birin, e indirekt edhe veten, bën të ditur Zëri i Amerikës.

Besohet se të dy ata vunë në jetë një skemë për të nxjerrë fitime nga posti zyrtar i Skelos, duke zhvatur parà nga palë të treta. Sipas Prokurorisë, që në vitin 2010 Dean Skelos dhe i biri kishin ushtruar presion ndaj një biznesmeni të pronave të patundshme, që të mundësonte pagesa prej qindra-mijëra dollarësh në emër të Adam Skelos.

Personi arriti të paguajë, ndërkohë që lobonte Skelosin në lidhje me një legjislacion të rëndësishëm për biznesin e tij. Pagesat ishin të ndryshme, si për shembull 20 mijë dollarë për Adam Skelos, për punë që nuk i kreu kurrë, ose 4 mijë dollarë çdo muaj nga një firmë teknologjike, që shpresonte të fitonte një kontratë me qeverinë.

Ky është më i fundit në një seri skandalesh të ngjashme, që kanë përfshirë kryeqendrën e Nju Jorkut, Albany.

Po nën akuzën e korrupsionit u arrestua në janar kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Nju Jorkut, demokrati Sheldon Silver. Të dyja rastet hetimore u hapën pas shpërbërjes së papritur të një komisioni antikorrupsion në 2013-n, nga guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo.

 

Top Channel