Kristjan Sokoli, shqiptaro-amerikani i Seattle Seahawks

06/05/2015 00:00

Sportistët shqiptarë janë të shpërndarë në mbarë botën, na përfaqësojnë në sporte të ndryshme, por kurrë deri më sot nuk kishim dëgjuar për një shqiptar që të na përfaqësojë në futbollin amerikan.

Pikërisht është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që ka publikuar këtë lajm, duke na prezantuar të parin sportist shqiptaro-amerikan, i cili ka nënshkruar një kontratë me Seahawks, skuadër profesioniste e Ligës së Futbollit Amerikan (NFL) nga Seattle.

Bëhet fjalë për Kristjan Sokolin, 24-vjeçarin ende pa i mbushur, të përzgjedhur në raundin e 6 të shortit e 2015-s për NFL-në. Fiksojeni mirë këtë emër, sepse shumë shpejt mund të kemi mundësinë ta shohim dhe ta dëgjojmë në ndonjë finale të këtij sporti, “Superbowl”-in e famshëm që tërheq po aq shumë shikueshmëri apo siguron po aq shumë fitime sa u trumpetua për “ndeshjen e shekullit” në boks, por gjatë së cilës spektakli është i garantuar dhe zor se mund të zhgënjehesh ndonjëherë, siç ndodhi me sfidën Mayweather-Pacquiao.

Kristjani është rekrutuar nga skuadra e Seattle-t, në Uashington, e cila u shpall kampione në vitin 2013. Ai është lindur në Shqipëri, përpara se të zhvendosej për në SHBA në moshën 9-vjeçare. Në shkollën e mesme ka luajtur në disa role mbrojtëse si “defensive end”, “tight end”, “left tackle”, “punter” and “kicker”. Një lojtar tepër atletik, shtatlartë dhe trupmadh, i aftë për të ndalur edhe sulmuesin kryesor të skuadrave kundërshtare. E konsiderojnë një “motor” loje dhe me një dëshirë të madhe për të.

 

Top Channel