Kryeministri Rama vizitoi festivalin e librit “Tirana Open”, duke kujtuar se kjo ka qenë një ide e studiuesit të ndjerë, Ardian Klosi.

Rama deklaroi para artistëve dhe shkrimtarëve se investimi në kulturë është investimi për të ardhmen e një shoqërie dhe ne jemi duke bërë gjënë e duhur në këtë drejtim.

“Në vitin 2008 njeriu që ideoi këtë festival, Ardian Klosi, shkruante në një editorial: ‘bëhu i ditur që të jesh i lirë’. Dhe unë jam i bindur se duke investuar tek dituria dhe kultura bëjmë një investim shumë më të çmuar sesa vetë faktet që prodhojnë këto projekte, sepse bëjmë një investim tek liria e brendshme e njerëzve dhe shoqërisë”, tha Rama.

Organizatorët e “Tirana Open” bëjnë me dije se në këtë event marrin pjesë 55 shtëpi botuese, që ofrojnë mbi 500 libra të rinj. Në stendën e shtëpisë “Saras” gjejmë librat e shkrimtarit italian Italo Svevo, filozofit francez Walter, si dhe librin e fundit të Jason Goodwin.

“Saras prezantohet me disa autorë interesantë, që janë të rinj për nga tematika që përcjelllin për lexuesin. Për ata që kanë ndjekur udhëtimin e detektivit Jashim vjen libri i fundit “Klubi i Bakllavasë”, që sapo ka dalë në Britani dhe është mirëpritur nga kritika, ndërsa po pritet me padurim në Itali. Shqipja është gjuha e parë që është përkthyer ky libër, ndoshta nga dashuria që lexuesi shqiptar pati për këtë sagë”, tha Alda Bardhyli, redaktore e shtëpisë botuese “Saras”.

Festivali “Tirana Open” do të qëndrojë hapur deri më 11 maj.

Top Channel