“Idhuj në bronz”, Tina Turner dhe Bob Dilan në Durrës

06/05/2015 00:00

Ka nisur të marrë jetë ideja për krijimin e një ansambli skulpturash “Idhuj në bronz”, në qytetin bregdetar të Durrësit.

Pranë skulpturës së John Lennon, këngëtarit të famshëm të grupit legjendar “Beatles”, në lulishten përballë hyrjes së Portit Detar, janë vendosur edhe skulpturat e legjendave të muzikës botërore.

Tina Turner dhe Bob Dilan janë përjetësuar në bronz dhe janë vendosur në një nga vendet më të vizitueshme të qytetit të Durrësit, në portën që lidhte qytetin me Perëndimin që në antikitet.

Këto skulptura i shtohen asaj të John Lennon, e cila u vendos në këtë lulishte 4 vite më parë dhe menjëherë u shndërrua në një nga objektet simbol dhe më të fotografuara nga qytetarët dhe turistët e shumtë.

Ansambli i skulpturave vendosur pranë Portit, Torrës Veneciane, Mureve Mesjetare dhe Amfiteatrit Antik krijon një vend tepër tërheqës, që dëshmon etapa të ndryshme të historisë dhe banorëve të tij.

Skulpturat e përzgjedhura evokojnë etjen e shqiptarëve përgjatë dekadave të izolimit komunist për artin, muzikën dhe lirinë e ndaluar të shprehjes. Sipas një ideje të Bashkisë së Durrësit, ky ansambël do të pasurohet edhe me të tjerë idhuj në bronz, figura kombëtare e ndërkombëtare me ndikim në jetën qytetare.

Top Channel