Kosovë, qeveria procedon 5 projektligje me interes për liberalizimin e vizave

06/05/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka proceduar për në Kuvend 5 projektligje, që kanë të bëjnë me rregullimin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës, e që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si sponsorizues i kësaj pakoje ligjore, ka raportuar para kabinetit qeveritar ndryshimet dhe plotësimet për këto 4 projektligje, duke thënë se çdo plotësim dhe ndryshim ka ndodhur pas konsultave me institucionet vendore, BE-në dhe SHBA-të.

Duke folur për ndryshimet dhe plotësimet në projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Kuçi tha se, me ligjin e ri ministri i Drejtësisë nuk do të jetë më anëtar i Këshillit Prokurorial.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi se, kjo pako e ligjeve është prioritet për qeverinë, pasi ndërlidhet me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Në mbledhjen e saj, qeveria vendosi t’i tërheqë për plotësime shtesë tri projektligje që ishin paraparë të shqyrtohen nga Kuvendi; projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Parandalimin e Konfliktit e Interesit në ushtrimin e funksionit publik, projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës dhe ai për Trashëgiminë Kulturore.

 

Top Channel