Rezolutë për shqiptarët në Nju Jork, vlerësim kontributit ndaj hebrenjve

06/05/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në krye të një delegacioni zyrtar vizitoi Kongresin e shtetit të Nju Jorkut, si dhe Asamblenë e Nju Jorkut, ku u paraqit rezoluta për rolin e kombit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga anëtari i Asamblesë që përfaqëson Distriktin 80, zoti Mark Gjonaj dhe senatori Jeffrey Klein.

“Sot, kur roli i popullit shqiptar në mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist sintetizohet në një rezolutë të mbështetur nga përfaqësuesit e Nju Jorkut, ndihem vërtet shumë krenar. Hapja e dyerve për hebrenjtë u bë e mundur falë trashëgimisë historike dhe harmonisë fetare, por edhe dy institucioneve të forta morale të shoqërisë shqiptare, siç janë ‘Kodi i BESË-s’, fjalës së dhënë dhe të mbajtur; dhe Mikpritja, e kodifikuar në shprehjen ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’”, është shprehur kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Nishani vuri në dukje mbështetjen e dhënë nga Shtetet e Bashkuara në momente kyçe për historinë e shtetit shqiptar, e ndërkohë shprehu edhe pozicionin e palëkundur të Shqipërisë në luftën ndaj terrorizmit.

“Zhvillimet e dy dekadave të fundit na demonstrojnë se, askush sot nuk është imun ndaj kërcënimeve të grupeve terroriste dhe vendeve që i sponsorizojnë ato. Përmes akteve terroriste, por jo vetëm, ata po vënë në provë qytetërimin tonë. Përballë kërcënimeve dhe sfidave globale nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, përveç se të reagojmë e të veprojmë të bashkuar, shpejt dhe të vendosur. Është në interesin tonë të përbashkët, të garantojmë paqen dhe sigurinë në botë, si dhe zhvillim e saj të qëndrueshëm”, deklaroi Presidenti Nishani.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë përshëndeti miratimin e kësaj rezolute, duke theksuar në fund se veprimet çnjerëzore nuk duhen lejuar më të përsëriten.

Top Channel