Athina paguan këstin e parë ndaj FMN-së, por shumë pranë falimentit

06/05/2015 00:00

Duke shpërndarë përkohësisht hijet e dyshimit, Greqia i ka paguar FMN-së mëngjesin e së mërkurës këstin e parë për këtë muaj, të interesave prej 200 milionë eurosh, ndërsa rriten zërat se ajo nuk do të jetë në gjendje të paguajë këstin e dytë prej 763 milionë euro të tjera, më 12 maj.

Pagesa e sotme nuk ka larguar aspak retë e mosbesimit për mbarëvajtjen e negociatave të Athinës me huadhënësit e saj, kur dihet që në arkat e shtetit nuk disponohen shuma të tilla parash dhe shpresa qëndron vetëm te vendimet e BQE-së, për heqjen e kufizimeve që ka vendosur në lidhje me financimin e sistemit kreditues grek, ose në faktin, që të dy palët të bien dakord për finalizimin e angazhimeve për reformat strukturore, që do të garantojnë disbursimin e disa miliardë eurove, duke larguar në këtë mënyrë Greqinë nga mundësia e falimentimit.

Por, sipas gazetës së radikalëve të majtë, Avgji, qeveria greke nuk do të vazhdojë të paguajë detyrimet e saj, nëse nuk merr më parë ndihmën financiare. “Nuk është një blof, – shkruan gazeta në numrin e kësaj të mërkure, – por tashmë topi ndodhet në fushën e huadhënësve”.

Duke vënë “pistoletën në kokë”, Athina kërcënon me falimentim kreditorët e saj, pasi vlerëson se pasojat do të ishin të tmerrshme edhe për Eurozonën, – komenton këtë lëvizje agjencia “Bloomberg”. Megjithatë vërtetohet se banorëve të Eurozonës, për mirë a për keq nuk u bën shumë përshtypje vetëvrasja e grekëve me anë të falimentimit, ndaj dhe kanë filluar të humbasin durimin – theksohet në artikullin e saj – që parashikon se fundi po afron, por nuk vlerësohet se do të jetë i mirë.

Ndërkohë, edhe parashikimet e reja të Komisionit Europian për ekonominë greke janë dëshpëruese. Ritmi i zhvillimit, sipas Brukselit, do të jetë rreth 0.5%, nga 2.5% që ishte parashikimi për këtë vit, ndërsa papunësia mbetet ende në shifrat 25.5%.

Edhe vlerësimet më optmiste theksojnë se mbledhja e Eurogrupit, të hënën e ardhshme, nuk do të sjellë dy palët më pranë marrëveshjes, ndërkohë që edhe Athina, por edhe partnerët e saj, e dinë mirë se nuk ka më kohë dhe se çdo vonesë çon drejt asaj, që grekët të parët duhet t’i shmangen, falimentimit të vendit.

 

Top Channel