Kosovë, përplasje të ashpra në Kuvend për disa pr/ligje

06/05/2015 00:00

Tërheqja e disa projektligjeve nga rendi i ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës ka përplasur deputetët e opozitës dhe kabinetin qeveritar.

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, në emër të qeverisë kërkoi tërheqjen e projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe atë për trashëgiminë kulturore, me arsyetimin se kanë nevojë për plotësime shtesë.

Por deputetët e opozitës e akuzuan qeverinë se po i tërheq këto projektligje pasi ka kërcënime nga Beogradi, që projektligji i trashëgimisë kulturore ta përfshijë edhe Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha se projektligji për konfliktin e interesit u pamundëson qeveritarëve marrjen e disa pagave në disa pozita, prandaj dhe nuk u intereson që të miratohet.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi tha se zëvendëskryeministri Shala po mashtron opinionin me arsyetimet e tij.

“Asnjëherë s’e kam përmendur fjalën “gënjeshtër” në Parlament, ndaj po ju kërkoj falje qytetarëve. Por sot, për një ministër që sillet si një rrugaç, më duhet të them që ai po gënjen. Sepse po e tërheq këtë projektligj nën ndikimin e kërcënimeve që vijnë nga Beogradi dhe nuk guxon të dalë e t’u thotë qytetarëve të vendit të vërtetën. Ashtu siç e ka tërhequr ligjin për Trepçën, ashtu po e tërheq edhe këtë ligj nën ndikimin e Beogradit dhe kjo është e vërteta”, tha Bujupi.

Ndaj deklaratave të saj ka reaguar menjëherë zëvendëskryeministri Shala, por edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

“Sa për dosjet, me to merruni ju, sepse unë s’kam asnjë dosje dhe nuk e di kush ka, sepse nuk është çështje e imja dhe nuk do të kem asnjëherë. Ju bëni mirë t’i ktheni borxhet që u keni qytetarëve në komunën e Istogut, që të dilni sado pak nga mashtrimet. Se çfarë është kapja e shtetit, këtë shkoni kuptojeni në Pejë. Se çfarë është dalja nga zhvatja, nga shantazhi dhe nga krimi i organizuar, shkoni shikojeni në Pejë dhe merrni mësime. Nuk zgjidhen këto punë me dosje e letra, por me punë konkrete”, tha Shala.

“Unë jam në mesin e 120 deputetëve, edhe pse jam kryesues këtu. Është bërë traditë që të keqpërdorët foltorja e Kuvendit dhe që për çështjet e gjyqësorit nuk shkon askush në prokurori për arsye se s’ia mban, pasi ka probleme, apo sepse fyhen njerëzit”, tha nga ana tjetër Veseli.

Top Channel