“Shpërblime për drejtësi”, SHBA ofron 20 milionë USD për udhëheqësit e ISIS

06/05/2015 00:00

Qeveria amerikane ka ofruar një shpërblim prej 20 milionë dollarësh në total, për informacione mbi personat që besohen të jenë 4 udhëheqësit kryesorë të Shtetit Islamik.

Abdul Rahman al-Qaduli, Abu Mohammed al-Adnani, Tarkhan Batirashvili dhe Tariq al-Harzi i bashkohen kështu listës së të dyshuarve të kërkuar në bazë të programit “Shpërblime për drejtësi”.

7 milionë dollarë jep Departamenti amerikan i Shtetit për të dhëna mbi Qadulin, i përshkruar si drejtues i lartë i Shtetit Islamik, një militant që më herët ka qenë pjesë e Al Kaedës ne Irak.

5 milionë ofrohen për Adnanin e Batirashvilin dhe deri në 3 milionë për Harzin. Adnani përshkruhet si zëdhënësi zyrtar i grupit ekstremist; Batirashvili – i njohur edhe si Omar Shishani – është komandant në terren, që vepron kryesisht në veri të Sirisë; ndërsa Harzi është identifikuar si shefi i grupit të kamikazëve.

Shuma më e madhe e ofruar në bazë të skemës “Shpërblime për drejtësi” shkon në 25 milionë dollarë dhe është premtuar për njeriun që zuri vendin e Osama bin Ladenit në krye të Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri.

Për vetë udhëheqësin e ISIS-it, Abu Baker al-Bagdadi, Amerika kishte ofruar 10 milionë dollarë. Ndërkohë, edhe pse Shteti Islamik deklaroi se qëndron ai pas sulmit në Teksas, me shënjestër konkursin e karikaturave të Profetit Muhamed, Shtëpia e Bardhë thotë se është ende herët për të dalë në përfundime.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, sqaroi se incidenti është duke u hetuar nga FBI dhe anëtarët e tjerë të shërbimeve të zbulimit, të cilët do të përcaktojnë nëse ka ndonjë lidhje ndërmjet dy sulmuesve me ISIS-in apo ndonjë organizatë tjetër terroriste në botë.

 

Top Channel