Urdhri i Ramës për drejtorët, Paloka: Qeveria po përdor Administratën

06/05/2015 00:00

Një ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një regjistrim të kryeministrit Rama, që në një takim organizativ partiak dëgjohej, ndërsa kërkonte angazhim në fushatë të drejtorëve dhe shefave për të marrë përsipër një numër të caktuar kutish votimi.

Megjithëse Partia Socialiste mohoi, që kryeministri të ketë urdhëruar përfshirjen në fushatë të drejtorëve të Administratës dhe se bëhej fjalë për organizimin e brendshëm elektoral, Partia Demokratike i qëndroi akuzës se, bëhej fjalë jo vetëm për përdorim të Administratës, por edhe për manipulim të zgjedhjeve.

“Sipas Ramës, çdo drejtor, jo vetëm duhet të marrë nën përgjegjësi disa qendra votimi, por nën përgjegjësinë e tij personale duhet të deklarojë ‘me letër’, siç urdhëron Rama, sesa vota gjenden për mazhorancën në secilën kuti. Por ç’do të thotë, që drejtorët duhet të marrin ‘nën përgjegjësi personale’ çdo kuti votimi? Mos flitet për blerje votash? Mos drejtorët, me paratë e korrupsionit duhet të blejnë votat, në kutitë për të cilat mbajnë përgjegjësi? Ç’do të thotë, që secili prej tyre duhet të dijë sesa vota ka në çdo kuti për PS-LSI? Si mund ta dijë një drejtor administrate, sesa vota janë në një kuti votimi, pa filluar ende votimi? Atëherë duket qartazi, se Rama dhe Meta, edhe këtë herë, më shumë se çdo herë tjetër, të bindur se do të përballen me revoltën e shqiptarëve në kutitë e votimit, me dëshpërim po përpiqen të manipulojnë zgjedhjet. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë menjëherë mbi këtë skandal; OSBE-së dhe ODIHR-it që ta marrin menjëherë në shqyrtim dhe të marrin masa për të analizuar këtë skandal me shkeljen e ligjit dhe Kodit Zgjedhor; ndërsa përfaqësive të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, që të drejtojnë gjithë vëmendjen e duhur ndaj këtij skandali, që cënon haptazi zgjedhjet e lira në Shqipëri”, është shprehur kryetar i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

Top Channel