Tiranë, pajisje dixhitale për Poliklinikën Qendrore

06/05/2015 00:00

Prej 4 vitesh Poliklinika Qendrore, e cila është një ndër poliklinikat kryesore të specialiteteve në kryeqytet nuk ka pasur radioskopi, ekografi të përgjithshme dhe radiografi.

Falë një investimi të rëndësishëm nga Kooperacioni italian, qytetarëve të Tiranës tanimë nuk u duhet të shkojnë në QSUT për të mbajtur radhë të gjata për këto ekzaminime, madje me aparatura dixjitale të parametrave bashkëkohore do të mund t’i marrin pranë Poliklinikës Qendore dhe asaj të Specialiteteve, pranë Poliklinikës numër 9.

“Falë ndihmës bujare të popullit italian, po vëmë në punë disa pajisje të reja të rëndësishme ekzaminuese, të cilat e forcojnë kujdesin shëndetësor që ofrohet në shërbimin tonë parësor. Sigurisht që është një shërbim i specializuar më pranë qytetarëve, përpiqemi të ulim pak ngarkesën shpesh herë edhe të panevojshme që kanë spitalet tona. Por unë besoj se u japim edhe mjekëve shumë të zotë, specialistë që janë në këtë Poliklinikë, mjete me të cilët të jenë më të saktë dhe më të sigurt në diagnozat që japin, për të përcaktuar pastaj në mënyrë më të drejtë dhe më optimale edhe terapitë e mëtejshme”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ambasadori italian, Massimo Gaiani theksoi se kontributi i Kooperacionit italian në sektorin e shëndetësisë ka qenë i vazhdueshëm dhe deri më tani është kontribuuar me rreth 11 milionë euro, 5 prej të cilave do të shkojnë për Spitalin e Traumës.

Ndërkohë, projekti për pajisjen me aparatura të Qendrave Shëndetësore është shtrirë dhe në qytetet Korçë, Gjirokastër dhe Peshkopi.

Top Channel