Reformimi i drejtësisë, ekspertët: Rritje pagash gjyqtarëve dhe vendosje tarifash

06/05/2015 00:00

Në ditën e tretë të analizës ndaj sistemit të drejtësisë, ekspertët e nivelit të lartë mendojnë se gjyqtarët janë të pamotivuar të japin drejtësi për shkak të pagave të ulëta, e për këtë ata mendojnë që shteti të mbajë një xhep të posaçëm buxhetor për gjyqësorin.

“Do të ishte më e drejtë që piramida e pagave të gjyqësorit, të ishte më vete nga administrata e përgjithshme shtetërore”, deklaroi eksperti Genc Çifliku.

Në këtë frymë edhe ekspertët e misionit Euralius mendojnë se vendosja e tarifave që duhet të paguajnë qytetarët, jo vetëm do të konsolidonte buxhetin, por do t’i bënte më të matur qytetarët për t’iu drejtuar gjykatës.

“Përsa i përket rekomandimeve të Euralius, duhen vendosur tarifat në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën e Apelit, kjo do të ishte e këshillueshme. Natyrisht, kjo vendosje tarifash do të jepte një financim për buxhetin gjqyësor”, deklaroi Erwin Rooze.

“Nga kjo kanë rrjedhur dy probleme kryesore: e para janë shtruar shpenzimet administrative për Gjykatën Kushtetuese për shkak të kërkesave vitet e fundit; dhe e dyta është shtuar numri i kërkesave të pabazuara e të përsëritura. Kjo vjen për pasojë e mosaplikimit të tarifave dhe taksave në Kushtetuese, që ka sjellë në mënyrë artificiale rritje të çështjeve dhe përsëritjen e kërkesave për faktin se personat nuk kanë asnjë kosto financiare për ta vënë në lëvizje këtë gjykatën”, vijoi në fjalën e tij Çifligu.

Probleme me buxhetin u evidentuan edhe për ndihmën ligjore falas, ku konkludohet se shteti ka detyrime ndaj avokatëve kryesisht. Buxheti shihet nën normën e duhur edhe për prokurorinë, e cila vetëm për shpenzimet proceduriale deklarohet se ka akumuluar një borxh prej rreth 90 milionë lekë ndaj mjekësisë ligjore dhe ekspertëve të të gjitha fushave.

Top Channel