Eskorta e ministres Kodheli shkel semaforin

06/05/2015 00:00

Një qytetar ka denoncuar me një video në Youtube sesi ekskorta e një ministri del përmbi rregullat e qarkullimit rrugor, duke shkelur semaforët në kryeqytet.

Sipas orës së filmimeve, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të martës, në një nga akset e qendrës së Tiranës, prane zonës së ish-Bllokut.

Nga sa dallohet nga targat, makina është e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ka qenë duke kaluar në drejtim të Presidences, ku nuk ka ndaluar në semaforin e kuq në një nga kryqëzimet përpara saj, sikurse janë të detyruar të bëjnë të gjithë.

Por qytetari nuk është mjaftuar vetëm me xhirimin dhe publikimin në Youtube, por edhe me denoncimin në polici. Mësohet se pas këtij denoncimi, policia rrugore ka vendosur të gjobisë të dy drejtuesit e mjeteve zyrtare, si makinën shoqëruese dhe makinën e ministres Kodheli.

Gjoba për këtë kundravajtje mësohet se arrin në 30 mijë lekë të reja për secilin nga shoferët.

Ministri Tahiri, duke falenderuar qytetarin për denoncimin, shkruan në Facebook se “kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar shtetin ligjor dhe barazinë para ligjit, pa asnjë dallim”. 

Top Channel