BSH: Përmirësim i lehtë i aktivitetit ekonomik. Rritet inflacioni

06/05/2015 00:00

Në raportin për tre muajt e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë deklaron se është vënë re një rritje e lehtë e inflacionit, që përkthehet me shtim të aktivitetit ekonomik.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko deklaroi në një dalje për mediat se rritja e inflacionit u shkaktua kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Për BSH ky është një tregues pozitiv, por ekonomia ka ende kapacitete te pashfrytëzuara.

“Sipas Këshillit Mbikqyrës, aktiviteti ekonomik vijon të përmirësohet, por ekonomia ka ende kapacitete të pashfrytëzuar. Rritja ekonomike reflektoi gjallërimin e kërkesës së brendshme”- tha Sejko.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të vazhdojë të rritet gradualisht përgjatë muajve në vazhdim të këtij viti, duke prekur një mesatare totale prej 2.2 përqind në 2015-ën.

Guvernatori Sejko deklaroi se BSH do të vazhdojë me politikat monetare lehtësuese, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në 2 përqind.

“Politikat monetare lehtësuses për të rritur kërkesën dhe kthimin e inflacionit në shifrat e tij normale kanë dhënë rezultat”- tha ai.

Problem mbetet zgjerimi i ulët i kredisë, ndonëse sistemi bankar paraqitet solid. Sipas BSH, modeli i financimit të defiçitit buxhetor për këtë vit, duke përdorur huadhënës jashtë vendit, pritet të lehtësojë marrjen e kredive.

BSH kërkon edhe vazhdimin e reformave strukturore që duhet të synojnë rritjen e produktivitetit të ekonomisë shqiptare përmes klimës favorizuese për biznesin. 

Top Channel