Gjykata Speciale, zyrtarët europianë në Prishtinë për konsultime

06/05/2015 00:00

Zyrtarë të lartë europianë të ekipit përgatitor të Gjykatës Speciale kanë mbërritur të mërkurën në Prishtinë për të takuar zyrtarët kosovarë rreth finalizimit të punëve për formimin e saj.

Zyrtarët nga Brukseli janë takuar me ekipin kosovar që po merret me dokumentet që i ka hartuar Bashkimi Europian e që do të shërbejnë si bazë ligjore për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda institucioneve të Kosovës se zyrtarët vendas kanë propozuar ndryshime në draftin e ligjit të hartuar në Bruksel.

Mësohet se zyrtarët europianë janë shprehur të hapur për të modifikuar disa pjesë të tij, por vendimi final për ndryshime do të merret po në Bruksel.

Takimet mes zyrtarëve të huaj dhe ekipit nga Prishtina do të vazhdojnë edhe të enjten dhe do të shënojnë fundin e konsultimeve para se Kuvendi i Kosovës të votojë formimin e Gjykatës Speciale.

Zyrtarët e Prishtinës kanë treguar në kushte anonimati se zyrtarët europianë kanë sugjeruar që Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme ta fusë në axhendë votimin e gjykatës.

Aktualisht amendamentet kushtetuese që nevojiten për t’u ndryshuar ndodhen në komisionin parlamentar për legjislacion.

Sipas rregullores së punës së Kuvendit, ky komision formalisht i propozon seancës ndryshimet kushtetuese sipas propozimeve që i ka bërë më parë qeveria e që kanë marrë dritën jeshile edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Top Channel