“Lamtumirë dashuria e jetës sime”

06/05/2015 00:00

Ka qenë një letër prekëse, mbushur plot emocione. Një dedikim i vërtetë dashurie, përcjellë me fjalë, të cilat mbase ajo nuk ia kishte thënë kurrë me kaq forcë. Sheryl Sandberg, drejtuesja e Facebook, zgjodhi pikërisht rrjetet sociale për t’i bërë një dedikim burrit të saj, David Goldberg, i cili humbi jetën në një aksident javën e kaluar.

Nën titullin “Dave ishte shkëmbi im”, Sheryl dha një mesazh të veçantë, për atë që e quajti bashkëshortin dhe shokun ideal të jetës.

“E njoha Daven rreth 20 vite më parë, kur shkova të jetoja në Los Angeles. Ai u kthye në mikun tim më të mirë. Më tregoi për herë të parë rreth internetit, rreth tempujve dhe pushimeve hebreje. Më prezantoi me muzikën më fantastike, që kisha dëgjuar ndonjëherë.

Patëm 11 vite të gëzueshme të një dashurie të thellë, martesën më të lumtur dhe shoqërinë më të vërtetë, që mund të mendoja. Ai më bëri të përjetoja ndjesinë e të qenit e kuptuar, më mbështeti fuqimisht, e më dashuroi pafundësisht. Dhe unë do të jetoj gjithë jetën me to. Më e rëndësishmja, më fali dy fëmijët më të mrekullueshëm të botës.

Dave ishte shkëmbi im. Kur isha e mërzitur, ai më jepte qetësi. Kur isha e shqetësuar, më thoshte se gjithçka do të shkojë mirë. Kur nuk isha e sigurt se çfarë të bëja, ai e gjente zgjidhjen. Ishte krejtësisht i përkushtuar ndaj fëmijëve tanë, me të gjitha mënyrat, dhe forca e tyre përgjatë këtyre ditëve është shenja më e mirë, se Dave është i pranishëm mes nesh”.

Postimi i letrës erdhi menjëherë pas homazheve në auditorin e Universitetit Standford, ku njerëz të njohur të politikës e të artit kujtuan David Goldberg, i cili ndërroi jetë të premten e kaluar, gjatë pushimeve që po kalonte me familjen në një vilë, në Puerta Valarta të Meksikës. 47-vjeçari, i cili ishte drejtori ekzekutiv i “Survey Monkey” rrëshkiti dhe përplasi fatalisht kokën, teksa po ushtrohej në një pistë vrapimi në palestrën e vilës.

Top Channel