Vera ‘troket’ para kohe, temperaturat rriten menjëherë

06/05/2015 00:00

Edhe pse jemi në ditët e para të muajit Maj, temperaturat kanë pësuar një rritje të menjëhershme, duke bërë që termometri në Tiranë këtë të mërkurë të shënoje 33 gradë celcius.

“Do të kemi një Verë të vogël përgjatë kësaj jave. Mund të kapen temperatura edhe 32 dhe 33 gradë përgjatë ditëve të javës. Por kjo do të ndryshojë në fillim të javës tjetër, kur do të ketë ulje të temperaturave që do të kthehen pak a shumë në temperatura normale për stinën që jemi”- thotë Klodian Zaimi, specialist hidrolog në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Por në qytetet e betuara, si Tirana, këto temperatura ndihen shumë herë më tepër.

“Çdo të thotë një qytet i mbibetonuar? Nëse për 20-30 vitet e ardhshme do të ketë një rritje prej 3 gradësh më tepër, në një qytet të betonizuar do të thotë 5 ose 6 gradë më tepër. Në rastin e temperaturave të larta, kryesore janë krijimi i hapësirave të vogla ujore që të krijojnë pak fresk në qytet dhe njëkohësisht mbjellja e sa më shumë pemëve të larta”- thotë Merita Meksi, koordinatore e projektit GIZ.

Shqipëria është një ndër vendet e cila do të përballet me fenomenet e ndryshimit të klimës.

“Futemi në listën e shteteve që janë më të prekura për ndryshimet klimatike, në lidhje me përmbytjet, nivelin e tyre, shpeshtësinë e tyre dhe dëmet që do të shkaktojnë. Parashikimet janë që për 50 vitet e ardhshme të kemi një rritje prej 3 gradësh, ose edhe më shumë”- shprehet  Klodian Zaimi.

Nëse ne nuk do të jemi të përgatitur, atëherë dëmet në njerëz, por edhe në ekonomi mund të jenë të larta, pasi pritet që vendi ynë të ketë një rritje mesatare të temperaturës me 3 gradë celcius, të preket nga fenomenet e përmbytjeve dhe stuhive.

Top Channel