Rama dhe Meta prezantojnë Dakon në Durrës: 21 Qershori, mundësi për të bërë më shumë

06/05/2015 00:00

Krerët e mazhorancës, Edi Rama dhe Ilir Meta u ndalën në Durrës për të prezantuar Vangjush Dakon, kreun aktual të bashkisë së këtij qyteti, që rikandidon për një tjetër mandat.

Krerët e mazhorancës, Edi Rama dhe Ilir Meta u ndalën në Durrës për të prezantuar Vangjush Dako, kreu aktual i bashkisë së këtij qyteti që rikandidon për një tjetër mandat.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama kërkoi votën e durrsakëve për të vazhduar “në drejtimin e duhur”. Ai tha se qeveria ka dhënë në këto 18 muaj për qytetin e Durrësit më shumë se 20 vitet paraardhëse të marra së bashku.

“Kemi bërë për Durrësin më shumë se ç’është bërë në 20 vite të marra së bashku. Kemi plotësuar zotimin tonë për mbështetjen e Durrësit dhe besojmë se do të marrim një mbështetje edhe më të madhe se ajo e katër viteve më parë”- deklaroi Rama.

Kryeministri përcolli një mesazh për mbështetësit e Partisë Demokratike.

“Në Durrës, dhe në gjithë Shqipërinë, u them mbështetësve të PD se këto nuk janë zgjedhje politike. Vota nuk ndryshon asgjë në Tiranë. Këto janë zgjedhje se çfarë do të ndodhë në qytet në katër vitet e ardhshme, sa investime do të bëhen në bashkinë e re, që është shumë më e madhe. Këto janë zgjedhje për të vendosur se sa përmes bashkëpunimit me qeverinë, bashkia do të stimulojë bizneset private dhe vendet e punës, sa do të zgjidhë trajtimin e mbeturinave, ujit të pijshëm, transportin”- shtoi Rama, duke shprehur besimin se Vangjush Dako do të fitojë më 21 Qershor.

“Në këto zgjedhje realisht qytetarët që do të shkojnë të votojnë më 21 Qershor, do të zgjedhin një kryepunëtor dhe nuk do të vendosin ngjyrën politike që ka më shumë apo më pak vota. Vangjush e ndjen qytetin dhe është borxh me besimin që ka marrë prej 8 vitesh, dhe unë jam i bindur që ai do ta kthejë këtë borxh. Qeveria është në borxh me Durrësin në këto 20 vjet, dhe Qeveria zotohet të shlyejë deri në fund këtë borxh të Tiranës”- shtoi kryeministri.

Besim tek fitorja e kandidati të mazhorancës shprehu edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta.

“Bashkëpunimi mes qeverisë dhe bashkisë së Durrësit ka dhënë frutet e veta këto 18 muaj dhe është mbjellë për të korrur gjatë katër viteve të ardhshme. Jap mbështetjen më të madhe për fitoren e Dakos në Bashkinë e durrësit. Fitorja do të jetë mjaft bindëse. Ne kemi respektin për kandidatët e tjerë, por Shqipëria është në rrugën e duhur dhe Bashkia e Durrësit do të ecë në në këtë bashkëpunim me qeverinë sepse konflikti politik është i dëmshëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për probleme të përditshme të qytetarëve”- u shpreh Meta.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Dako, i cili do të kërkojë mandatin e tretë, ka nënvizuar se 18 muaj nga ndërrimi i pushteteve qendrore, Durrësi ka ndryshuar rrënjësisht fasadën e tij.

“Në 18 muaj ne kemi realizuar shumë projekte që i kanë ndryshuar qytetit faqen. Mund të përmend këtu sheshin qendror të Durrësit, rrugën e portit, që është mbajtur peng për 5 vitet e qeverisë së kaluar, mbikalimin e Urës së Dajlanit, Urës së Plepave, si dhe 10 rrugë të reja në zonën e ish-Kënetës. Këto janë investime të cilat ju i keni parë dhe jeni dëshmitarë të tyre. Por ne mbetemi të etur për më shumë investime”, ka thënë Dako.

Top Channel