Si të sjellim pranverën në shtëpi

06/05/2015 00:00

Është koha e ripërtëritjes. Pranvera ka trokitur kudo. Aq më teper në shtëpinë shumë të vizituar të Vasilika Gogut, një zonjë energjike nga  Berati, që sapo ka përfunduar së lyeri të gjithë shtëpinë. Tani po merret me detajet e fundit, të asaj që quhet “revolucion” i pranverës.

“Para një jave u lyen të gjitha dhomat, veranda, pjesa e jashtme dhe gjithçka po shihni, për ta rifreskuar shtëpinë. Kemi bërë gjithçka edhe për punimet e drurit që kemi në shtëpi, pasi është mirë t’i mirëmbajmë dyert, dritaret dhe t’i lyejmë me vaj liri, por jo çdo vit. Kjo u jep pamje të freskuar dhe të bukur nga jashtë”, tha Vasilika.

Në bujtinën e 1700-s, çdo centimetër i nënshtrohet “revolucionit”. Duke filluar që nga shtroja: Heqja e tapeteve dimërore e vendosja e qilimave të lehtë ngjyra-ngjyra të punuara me dorë, e deri te kortinkat.

Vasilikës i pëlqen ta ndryshojë shpesh “makiazhin” e shtëpisë, duke mbetur gjithnjë besnike e portretit të saj historik. Ky nuk është vetëm një pasion apo mision, por edhe një traditë që vazhdon gjatë në familjen dhe qytetin e tyre.

“Gjyshja ime 100-vjeçe i lyente me furçë dhe gëlqere, kishte një shtëpi shumë të bukur. Ishte pothuajse si imja, me gurë anash që i lyente me gëlqere të bardhë. Te gjyshja ime, njerëzit thoshin se mund të hash në banjë prej pastërtisë. E gjithë familja jonë është e prirur për pastërtinë, na pëlqen”, tha më tej Vasilika.

Sigurisht, të merresh me ndryshimet e sezonit të merr shumë kohë e mund.

“Kam gati tre javë që merrem me shtëpinë dhe ustain, për të blerë bojërat, furçat, qoftë për të lyer muret, ashtu dhe për dyert. Edhe qilimat i laj dhe i fus nëpër qese, i ruaj në hapësirën dedikuar atyre, kurse kur më duhen, i nxjerr, i freskoj dhe i kam gati për t’i shtruar”, shtoi Vasilika.

Në fazën e rregullimit, prishet i gjithë ekuilibri i shtëpisë dhe ka dhe nga ata anëtarë të familjes, që kanë ankesa.

“Nëna më thoshte se duhet t’i lidhnim gjërat gjithmonë pas mureve, sepse prisheshin ndryshe. Njëri nga vëllezërit e mi, kur vijnë te shtëpia e nënës, thotë se mirë që u ka mbetur dera kryesore, për ta dalluar shtëpinë, sepse të gjitha të tjerat ndryshohen. Më pëlqen gjithmonë ta ndërroj ambientin”, deklaroi Vasilika.

Tashmë çdo gjë është në vendin e vet dhe Vasilika e shijon me shumë kënaqësi këtë moment pushimi, veçanërisht pas këtyre ditëve të lodhshme. Pranvera ka hyrë me gjithë nurin e saj në këtë bujtinë të lashtë, të qytetit të “një mbi një dritareve”.

Top Channel