Veliaj: Berisha po nxit urrejtjen. Në 21 qershor do të votojmë edhe për Gerti Bogdanin e Jorida Tabakun

06/05/2015 00:00

Në një takim me banorët e Njësisë 7 në kryeqytetet, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, akuzoi Sali Berishën se po nxit miqtë e tij të gjimnazit, që të  shajnë e të shpifin kundër tij, por kjo gjë duhet të marrë fund, sipas Veliajt më 21 qershor.

“Pas këtij takimi do të shikoni shokët e mi të gjimnazit, Jorida Tabakun e Gerti Bogdanin, të cilët do të dalin e do më shajnë. Ata nuk e besojnë, pasi kanë qenë në shtëpinë time, janë miqtë e mi të vjetër, por sepse i thotë plaku ta bëjnë këtë. Në asnjë mënyrë, ne duhet të fitojë edhe për Gertin, edhe për Joridën. Ne duhet të jemi brezi i parë në histori t’i themi Sali Berishës ik në shtëpi, je në pension, e mos i fut të rinjtë të zihen. Shqipëria është shumë e vogël për t’u përçarë, Tirana është shumë e vogël për t’u përçarë”, tha Veliaj.

Sipas Veliaj, me 21 qershor “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të luftojë për ta çuar Tiranën dhe Shqipërinë në drejtimin e duhur.

“Ne nuk do të luftojmë vetëm për fitore, por për çdo votë që fitorja të jetë aq e thellë sa të marrim hak edhe për 2011-ën dhe të tregojmë se Tiranën ta çojmë në drejtimin e duhur të gjithë bashkë”, u shpreh kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës.

Top Channel