Hoffman: Pastroni drejtësinë nga “zarfat”

06/05/2015 00:00

Në mesin e debateve për reformën në drejtësi dhe korrupsionin në këtë sistem, ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman i është shtuar zërave për domosdoshmërinë e pastrimit të drejtësisë.

As më shumë e as më pak, diplomati gjerman ripërsëriti një deklaratë të bërë më parë edhe nga presidenti Nishani për gjykatësit që e nisin ditën e punës me zarfa.

“Lufta ndaj korrupsionit duhet të shtrihet së pari në drejtësi. Në Shqipëri shifrat e korrupsionit janë të larta. Ka gjykatës që marrin zarfin që në mëngjes e pastaj shkojnë në punë. Kjo situatë nuk e ndihmon aspak vendin tuaj”, deklaroi Hoffman.

Deklarata e ambasadorit, bërë në një aktivitet në ambjentet e Ministrisë së Jashtme mbi procesin e integrimit, kaloi këtë çështje në plan të dytë kur ai gjeti rastin të ngrejë një tjetër shqetësim, atë të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe nga rajoni.

“Kam shifra shqetësuese për ju, Kosovën dhe Maqedoninë. Për shembull, ka pasur edhe ditë kur 600 persona kanë kërkuar azil. Mos u largoni nga Shqipëria sepse do të ktheheni”, paralajmëroi Hoffman.

Top Channel