Surpriza, Luis Suarez “bëhet” doktor

06/05/2015 00:00

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez po kalon në një formë të mirë, por ai mundohet të tregohet “kampion” edhe jashtë fushës së blertë. Ai kishte befasuar një djalosh që ishte diagnostifikuar me kancer, duke e nxitur që të ndjek këshillat e mjekëve deri në shërim të plotë.

Djali i quajtur Mateo, ishte drejtuar për në ambientet e “Perez Scremini Foundation” ku i ishte thënë se do ketë një komunikim me një doktor spanjoll për t’i bërë disa pyetje. Ai nuk e kishte idenë që “doktori” në të vërtetë ishte idhulli i tij, Luis Suarez.

Pas pyetje-përgjigjeve të para me “Dr. Federico Gonzalez”, ku Mateo i tregon se është duke ndjekur me përpikmëri këshillat e doktorëve, Suarez shfaqet në ekran, ndërsa djaloshi shpërthen në lot.

Sulmuesi uruguaian i premton djaloshit një fanellë, në rast se ai nuk do ta ndalë “luftën” kundër kancerit. Pas një bisede ku ka shumë emocione, Suarez diskuton edhe golat e fundit me Mateo-n, që thotë se i kishin pëlqyer jashtëzakonisht shumë.

Top Channel