Beteja për arsimin e lartë, Nikolla takon biznesin

06/05/2015 00:00

Pak kohë pas protestës së zhvilluar nga studentët para Kryeministrisë, ku kundërshtuan miratimin e reformës në arsimin e lartë, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit lidhur me zbatimin e këtij ligji.

Nikolla tha se reforma synon që të shkojë në përputhje edhe me kërkesat e biznesit, në mënyrë që të kemi profesionistë të dobishëm.

“Këshilli i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, organ pranë MAS, do të ketë në përbërjen e tij një raport me një të katërtën, por që mund të rritet. Ndërkohë që kemi konstatuar se edhe aty ku përgatisim ekspertë për fusha të ndryshme të zhvillimit të vendit nuk kemi cilësinë e duhur”, tha Nikolla.

Disa nga anëtarët e komisionit për hartimin e ligjit të arsimit të lartë thanë se tanimë institucionet e arsimit të lartë do të vlerësohen edhe për performancën e tyre.

“Të gjitha skemat e financimit të universitetit kanë një ndryshim nga ato që kemi pasur deri më sot, pasi nuk merret parasysh vetëm hyrja, por edhe formimi i studentëve në dalje, sa prej tyre i shërbejnë tregut të punës dhe sa integrohen ata në fushën ku janë diplomuar”, deklaroi një prej ekspertëve.

Ligji për arsimin e lartë pritet të kalojë në komisionin e medias në një kohë kur Senati i Universitetit të Tiranës, pedagogët e Forumit për mendimin e lirë, por edhe studentët janë bashkë në një pikë: kundërshtimin e kapitullit 12.

Top Channel