Nxitja e biznesit, Rama: Trashëguam probleme sa i takon krahut të punës

06/05/2015 00:00

Geront Çela, biznesmen në fushën e importit të materialeve të ndërtimit, synon që prodhimet e fabrikës së tij të jenë për eksport.

Ai tha se ky investim i 12 muajve të fundit me vlerë 6 milionë euro, në hyrje të Durrësit, u realizua falë lehtësive të krijuara nga politikat e nxitjes së biznesit nga qeveria.

“Nga heqja e TVSH-së kursyem 40 milionë lekë të reja, si dhe disa milionë të tjerë. Nuk e prisja këtë kur ngrita fabrikën”, tha Çela.

Gjatë vizitës së kryeministrit Rama në këtë fabrikë, Çela tha se mungojnë punonjësit e kualifikuar në këtë sektor, prandaj i është dashur që të punësojë specialistë italianë.

“Ky është problemi më i madh që kemi trashëguar sa i takon krahut të punës, pasi arsimi profesional u shkatërrua ndër vite dhe na duhen disa vjet për të përballuar rrugën për formimin e njerëzve”, iu përgjigj kryeministri Rama shqetësimit të tij.

Në qytetin bregdetar, kryeministri pa edhe vijimin e punimeve të një sheshi të pagëzuar me emrin “I Love Durrës”. Projektuesit thonë se forma e zgjedhur për ndërtimin e sheshit synon ta kthejë atë në një atraksion turistik, si dhe njëkohësisht një ambjent çlodhjeje për banorët e qytetit.

Top Channel