Basha në Tepelenë, sulmon Ramën nga bastionet e PS-së

06/05/2015 00:00

Tepelena është një zonë tradicionalisht e majtë, por Lulzim Basha pati një arsye të ndihej si i shtëpisë. “Që unë kam privilegjin ta quaj shtëpinë e nuses time”, tha ai në takimin me banorët.

Lulzim Basha e përdori prezantimin e kandidatit të opozitës Veip Çela në një bastion të majtë për të vënë në dukje zhgënjimin që kanë votuesit nga qeveria e rilindjes.

“Shqiptarët që votuan më 23 qershor alternativën e së ashtuquajturës rilindje janë dy herë më të zhgënjyer, sepse janë pa punë, paguajnë më shumë taksa, e kanë gojën të mbyllur tek pushtetarët lokalë e deri tek Edi Rama në Tiranë”, tha Basha.

Basha e cilësoi Edi Ramën si kryeministrin e qeverisjes fasadë. “Nuk hapin vende pune për rininë, por u heqin prindërit nga puna, u rrisin çmimin e energjisë dhe u thonë ‘ja, ju bëmë sheshin’. Pse e bëjnë këtë? Jo sepse janë budallenj, por sepse ju marrin juve si budallenj. Këta investojnë projekte luksi, sepse treçereku i parave zhduket në xhepat e tyre”, theksoi Basha.

Kur prezantoi kandidatin e Mallakstrës, Agron Kapllani, kreu i opozitës e konsideroi 21 Qershorin si ditën kur shqiptarët duhet të ndahen nga politika e ardhjes në pushtet me mashtrime, siç bëri sipas tij Edi Rama, me premtimet e pambajtura për legalizime falas, shëndetësi falas dhe taksa të ulëta.

“Siç është thënia e mençurisë, ‘më gënjeve njëherë, turp për ty. Më gënjeve dy herë, turp për mua’. Ju nuk duhet të poshtëroheni më”, tha Basha.

Kreu i opozitës e akuzoi Ramën, në një tjetër bastion të majtë, për autoritarizëm që e përdor për të pasuruar veten dhe jo vendin.

“Dëgjoni ç’thotë kryeministri: ‘votoni për kandidatin e shumicës, sepse është i vetmi që do ketë akses në zyrën e tij’. Të gjithë pushtetin sovietëve, gjithçka në dorën e Ramës. Nuk i mjaftoi kapja e gjithë institucioneve të pavarura, tani do edhe 61 bashkitë. Gjithçka në dorën e tij”, tha Basha.

Zgjidhja është, sipas kreut të opozitës, një vendim për t’u ndarë nga keqqeverisja sa më shpejt. “Vota juaj, vota jonë. Të gjithë së bashku do ta ndryshojmë situatën”, tha Basha.

 

Top Channel