Debati për urdhrin e Ramës për drejtorët. Paloka: Qeveria po përdor administratën. PS: Është mashtrim

06/02/2015 00:00

Një material audio i kryeministrit Rama, gjatë një mbledhjeje jopublike për organizimin e fushatës, është publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i bindur se Partia Socialiste po bën gati manipulimin e zgjedhjeve.

Në material, kryeministri dëgjohet që flet për angazhimin e drejtorëve në fushatë dhe marrjen e përgjegjësive për kutitë e votimit.

Sipas Partisë Demokratike, ky material është një provë flagrante, jo vetëm për përdorimin e administratës, por edhe për manipulimin e zgjedhjeve.

“Sipas Ramës, çdo drejtor, jo vetëm duhet të marrë nën përgjegjësi disa qendra votimi, por nën përgjegjësinë e tij personale duhet të deklarojë ‘me letër’, siç urdhëron Rama, se sa vota gjenden për mazhorancën në secilën kuti. Por ç’do të thotë, që drejtorët duhet të marrin ‘nën përgjegjësi personale’ çdo kuti votimi? Mos flitet për blerje votash? Mos drejtorët, me paratë e korrupsionit duhet të blejnë votat, në kutitë për të cilat mbajnë përgjegjësi? Ç’do të thotë, që secili prej tyre duhet të dijë sesa vota ka në çdo kuti për PS-LSI? Si mund ta dijë një drejtor administrate, sesa vota janë në një kuti votimi, pa filluar ende votimi? Atëherë duket qartazi, se Rama dhe Meta, edhe këtë herë, më shumë se çdo herë tjetër, të bindur se do të përballen me revoltën e shqiptarëve në kutitë e votimit, me dëshpërim po përpiqen të manipulojnë zgjedhjet. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë menjëherë mbi këtë skandal; OSBE-së dhe ODIHR-it që ta marrin menjëherë në shqyrtim dhe të marrin masa për të analizuar këtë skandal me shkeljen e ligjit dhe Kodit Zgjedhor; ndërsa përfaqësive të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, që të drejtojnë gjithë vëmendjen e duhur ndaj këtij skandali, që cënon haptazi zgjedhjet e lira në Shqipëri”- është shprehur kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

Përveç hetimit penal, Partia Demokratike kërkoi edhe ndërhyrjen e OSBE-së dhe të partnerëve ndërkombëtarë për të siguruar se vota e shqiptarëve nuk do të devijohet.

Por Partia Socialiste, njësoj si në reagimin e parë, e cilësoi këtë deklaratë një shpifje dhe trillim pa asnjë bazë. Në një sqarim të gjatë, Partia Socialiste shpjegoi organizimin e saj, duke siguruar se kryeministri Rama, jo vetëm nuk ka folur për drejtorë administrate, por ka urdhëruar ndëshkimin e çdokujt që përdor burimet shtetërore për të bërë fushatë elektorale.

Partia Socialiste thotë se ka vdekur koha kur Berisha dhe Partia Demokratike urdhëronin administratën të votonte qeverinë dhe se me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste nuk ka vjedhje të kutive të votimit, por vullnet për zgjedhje të lira.

Megjithatë, demokratët nuk kanë besim tek ky vullnet që shpreh mazhoranca. Nënkryetari Edmond Spaho, publikoi disa dokumenta, që sipas tij provojnë se kryetarii Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka drejtuar që nga muaji mars, një operacion për devijimin e rezultatit të zgjedhjeve, duke përfshirë këtu më shumë se 7 mijë qytetarë.

 

“Mekanizmi për ta bërë këtë është regjistrimi në listat e zgjedhësve të Bashkisë Durrës, i njerëzve me bindje të majta, që aktualisht banojnë në territorin e bashkive të tjera, duke u ndryshuar në mënyrë fiktive regjistrin e gjendjes civile dhe konvertuar ata në banorë të Bashkisë së Durrësit.  Partia Demokratike po bën kallëzim penal për autorët dhe ekzekutorët e kësaj skeme përfshirë çdo individ në listën e deritanishme që ne disponojmë me emër dhe mbiemër, nga kanë ardhur dhe ku janë regjistruar në Durrës. Askush të mos shohë ëndrra se mund të vjedhë zgjedhjet në 21 Qershor”- deklaroi Spaho.

Top Channel