Parma, sherr dhe paqe Lila-Prestia

06/05/2015 00:00

Problemet e shumta në skuadrën e Parmës bëjnë që edhe atmosfera të mos jetë shumë e mirë. Sidoqoftë, më vonë gjithçka është sqaruar, por ajo që ka ndodhur në stërvitjen e së mërkurës nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat italiane.

Andi Lila është përfshirë në një sherr me të riun Giusseppe Prestia, pasi ky i fundit ka filluar të ofendojë shqiptarin që kishte bërë një ndërhyrje gjatë seancës stërvitore. Sipas mediave italiane, Lila e ka goditur me kokë, ndërsa kanë ndërhyrë shokët e tjerë të skuadrës për ta qetësuar situatën.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit Donadoni, që ka vendosur të largojë dy lojtarët nga stërvitja. Disa orë më vonë është arritur edhe paqja mes tyre, pasi Prestia postoi një foto në Instagram, ku shihet bashkë me Lilën duke qeshur, ndërsa si përshkrim ka shtuar: “Në kamp gjithçka mund të ndodhë, ndërsa jashtë gjithmonë miq. Ky është futbolli”.

 

Top Channel