Shkodër, Bazhdari: Më shumë vëmendje komunitetit egjiptian

06/05/2015 00:00

Kandidatja e PS-së për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari, e shoqëruar nga të rinjtë e forumit rinor “Cati Youth”, ndanë lule për të gjithë të pranishmit.

Në fjalën e hapjes së veprimtarisë festive, kandidatja kritikoi mënyrën se si është trajtuar komuniteti egjiptian, sipas saj, me racizëm dhe jo me politika mbështetëse nga bashkia e mëparshme. Ndaj, ajo premtoi se me drejtimin e saj do të realizohen shumë punë dhe projekte.

Ndërsa deputeti Namik Kopliku tha se kandidatja Bazhdari ka dhënë dhe po jep prova që mbështet komunitetet në nevojë.

Aktiviteti vazhdoi me shfaqjen e problematikave kryesore që shqetësojnë komunitetin egjiptian, si rrjeti i amortizuar i enrgjisë elektrike, kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza, kushtet e shkollimit dhe papunësia.

Në përgjigje të këtyre problematikave, zonja Bazhdari u tha të pranishëmve se OSHEE do të ndërhyjë menjëherë për zgjidhjen e problemit të energjisë.

Ndërsa sa i takon varfërisë, ajo tha se nëpërmjet bashkëpunimit me organizatën “Islamic Relief” do bëhet i mundur trajtimi me ndihma i familjeve në nevojë.

 

Top Channel