Vladimir Putin, 15 vjet në krye të Rusisë

06/05/2015 00:00

Ai ndoshta ka më shumë kundërshtarë se dashamirës, por një gjë që mbetet fakt është se Vladimir Putin e ka udhëhequr Rusinë për 15 vjet.

Disa ditë para se të zgjidhej si shefi i Kremlinit në vitin 2000, Putin deklaroi se Rusia ishte “pjesë e kulturës europiane” dhe se ai nuk do ta përjashtonte mundësinë e bashkimit me aleancën ushtarake të NATO-s.

“Unë nuk mund ta imagjinoj vendin tim të izoluar nga Europa, nga ajo pjesë që ne shpesh e quajmë si bota e civilizuar”, tha ai atëherë.

Por koha provoi të kundërtën. Rusia dhe Perëndimi duket të jenë si dy drejtëza paralele që nuk bashkohen dot më. Ndërkombëtarisht, Moska përballet me izolimin dhe sanksionet.

Por brenda në Rusi, pavarësisht rënies ekonomike Putin gëzon ndoshta edhe popullaritetin më të lartë të ndonjë lideri Kremlini, një vlerësim ky që arrin 86% të përkrahjes.

Por një analizë e “The Guardian” tregon se Vladimir Putin e ka ndryshuar Rusinë dhe botën në 15 mënyra. Ndër to, listohet konflikti i Ukrainës, që ka lëvizur shumë balanca në botë.

Gjithashtu, Putin ka krijuar kultin e individit duke përqendruar pushtetin në duart e tij, ka lidhur marrëdhënie tregtare me vendet e Azisë njëkohësisht, duke krijuar edhe një botë shumëpolare.

Por ajo që ekspertët shohin me skepticizëm dhe si një kërcënim për të ardhmen është investimi miliarda dollarësh që Putin po bën në pajisje ushtarake.

Moska  sapo ka inaguruar një tank “T-14”, i cili përdoret për beteja të mëdha ushtarake. Ajo që disa analistë të politikës së jashtme i druhen është një luftë e re e ftohtë, e cila sipas tyre, do të vijë si provokim i Rusisë.

 

Top Channel