Britania voton, konservatorët dhe laburistët kuotohen njësoj

07/05/2015 00:00

Miliona njerëz kanë nisur të votojnë në Mbretërinë e Bashkuar për zgjedhjet e përgjithshme. Qendrat zgjedhore, rreth 55 mijë në mbarë Britaninë, u hapën në orën 7.00, me orën lokale dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 22:00.

Në këtë proces elektoral, rreth 50 milionë vetë me të drejtë vote do të zgjedhin në total 650 deputetë. Lideri i UKIP, Nigel Farage, i cili mbante një trëndafil të kuq në kostumin e tij, votoi pak pas orës 07:30, në qendrën zgjedhore në Remsgejt.

Ndërkohë, disa votime janë realizuar përpara së enjtes përmes votimit me postë, që përbënte 15 për qind të elektoratit total në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010.

Këtë vit, për herë të parë njerëzit janë regjistruar në votime online. Shumica e qendrave zgjedhore janë në shkolla, qendra komunitare dhe famulli. Një pjesë e rezultateve pritet të shpallet në mesnatë, ndërsa ato përfundimtare të premten pasdite.

Ndërkohë, përveç zgjedhjeve të përgjithshme janë edhe 9 mijë vende të këshillave lokalë që do të plotësohen. Kryetarët e bashkive do të zgjidhen gjithashtu në lokalitetet Bedford, Koplend, Leiçester, Mensfilld, Midëllsbrou dhe Torbej.

Sondazhet më të fundit sugjerojnë se ka një diferencë mjaft të lehtë në favor të konservatorëve, ndërkohë që besohet gjerësisht se dy partitë dominante, konservatorët e kryeministrit Cameron dhe laburistët e opozitës së Miliband janë në kuota të barabarta mbështetjeje.

Një gjë është më se e sigurt se, pas votimit të sotëm, Britania do të detyrohet të qeveriset me koalicion qoftë edhe me qeveri pakice, edhe pse udhëheqësit kryesorë tentojnë ta mohojnë një opsion të tillë për arsye taktike elektorale.

Me gjasa do jenë nacionalistët skocezë dhe antieuropianët, si dhe euroskeptikët e UKIP që do të përcaktojnë se cila parti do mund të krijojë qeverinë e ardhshme, pa harruar edhe liberal-demokratët, partnerët e vegjël aktual të qeverisë së koalicionit, të drejtuar nga kryeministri Cameron.

 

Top Channel