Beteja me rebelët, Jemeni i kërkon ndihmë OKB-së

07/05/2015 00:00

Jemeni i ka bërë thirrje OKB-së që të autorizojë përdorimin e forcave të huaja tokësore për të zmbrapsur rebelët Houthi, kryesisht në qytetet e Adenit dhe Taizit.

Rebelët kanë avancuar në të dyja qytetet, pavarësisht sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga sauditët.

Sulmet filluan pasi Jemeni i dërgoi në mars Kombeve të Bashkuara një letër të ngjashme, ku kërkonte ndihmë ushtarake nga vendet e Gjirit Arab.

Kërkesa e fundit u bën gjithashtu thirrje grupeve të të drejtave të njeriut për të dokumentuar “dhunimet barbare” të rebelëve Houthi.

Letra, e prezantuar nga ambasadori jemenas në OKB, Khaled Alyemany, i referohet një incidenti të së mërkurës, kur të paktën 32 persona mbetën të vrarë në përpjekje për t’u larguar nga Adeni me varkë.

“Rebelët po sulmojnë çdo gjë që lëviz në Aden. Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë sa më shpejt në rrugë tokësore për të shpëtuar Jemenin, sidomos Adenin dhe Taizin”, thuhet në letër.

Luftimet kanë qenë jashtëzakonisht të ashpra, sidomos në zonën Al Tauahi të Adenit, ku rebelët kanë luftuar me trupat qeveritare për shtrirjen e kontrollit.

Nga ana e tij, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur disa herë shqetësimin për civilët e bllokuar në luftime.

Ndërkohë, mbi 20 agjenci ndërkombëtare që veprojnë në Jemen kanë njoftuar shkurtim të financimeve dhe karburanteve, gjë që mund të pengojë punën e tyre.

Top Channel