Zjarr në aeroportin Fiumicino të Romës, pezullohen fluturimet; edhe ato nga Tirana

07/05/2015 00:00

Një zjarr ka rënë natën midis të mërkurës dhe së enjtes në aeroportin Fiumicino të Romës, në terminalin numër 3 të fluturimeve ndërkombëtare.

Zjarrfikësit që kanë punuar për orë të tëra për shuarjen e flakëve, sipas të dhënave të mediave të vendit fqinj, kanë arritur t’i vënë ato nën kontroll rreth orës 7 të mëngjesit.

Sipas burimeve mediatike, kompania që menaxhon aeroportin njoftoi mbylljen dhe pezullimin e aktiviteteve në të, të paktën deri në orën 14 të së enjtes.

Vendimi në fjalë përfshin edhe fluturimet e linjës Tiranë-Romë, që rrjedhimisht janë pezulluar. Megjithatë, sipas të njëjtës kompani, aeroporti po shkon gradualisht drejt rihapjes.

Për disa orë kanë qëndruar të mbyllura edhe rrugët përreth aeroportit dhe linja hekurudhore që e lidh atë me Romën.

Gjithashtu, pasojat e zjarrit janë ndjerë në të gjithë trafikun ajror të Italisë, për të mos folur për dëmet materiale të shkaktuara.

Top Channel