Veliaj: Pushteti, miqësor me sipërmarrësit. Bulevardi i ri, me një projekt më të mirë

07/05/2015 00:00

Kandidati i Partisë Socialiste për garën elektorale të 21 Qershorit në Tiranë, Erion Veliaj ka dëgjuar ankesat e investitorëve shiqptarë dhe të huaj, për t’i reflektuar ato në platformën e drejtimit të bashkisë më të madhe në vend.

Veliaj premtoi një marrëdhënie të re bashkëpunimi midis bashkisë dhe biznesit, pasi kryeqyteti sipas tij është epiqendra e jetës sociale dhe ekonomike në vend. Ai hodhi idenë e Këshilit ekonomik për Tiranën.

“Unë kam bërë një propozim, shumë i ngjashëm me Këshillin kombëtar të Punës, për të krijuar Këshillin ekonomik të Tiranës dhe për të pasur përfaqësues të shoqatave kryesore të biznesit, që e kanë lidhur jetën e tyre me Tiranën, ose kanë qendrën e tyre në Tiranë. Tirana e re, përveç se është bashkia e 1 milion banorëve, është edhe bashkia e 50% të ekonomisë së të gjithë vendit. Kjo do të thotë se, me shumë gjasa, kompanitë kryesore të huaja por dhe vendase e kanë selinë e tyre në Tiranë, punën më të madhe prodhuese e kanë këtu, ashtu sikurse dhe klientelën më të madhe. Ndaj duhet të respektoja çdo ide që ju keni, sesi bashkia, si prokuruesja e dytë më e madhe pas qeverisë, edhe e punëve publike mund të koordinojë më mirë”, u shpreh kandidati socialist, Veliaj.

Kandidati Veliaj tha se do të krijojë Fondin e Nxitjes së Punësimit dhe zyrat e punës në bashki. Por nga ana tjetër premtoi se do të krijojë struktura për të lehtësuar procedurat, që u duhet të kryejnë bizneset, si regjistrimi, pagesat e taksave, e të tjera, për të cilat ka pasur barriera të panevojshme deri tani.

Gjithashtu, Veliaj theksoi edhe krijimin e një auditi për të vlerësuar në ç’gjendje është Bashkia e Tiranës. Për sa i përket lejeve të ndërtimit, ai iu përgjigj ndërtuesve se nuk do të jepen më leje në zona, si ish-Blloku, apo të tjera, të cilat janë të mbingarkuara prej ndërtimeve.

“Këtu ka një interes shumë të madh publik për hapësira të gjelbërta dhe për të konservuar ato pak hapësira, që në Tiranën e 11 minibashkive u kanë shpëtuar ndërtimeve. Duhet të jemi shumë të qartë, që në bashkinë e re nuk aspirojmë të vazhdojmë të japim leje në Bllok. Sigurisht që jemi të indinjuar nga mënyra sesi, edhe ato pak hapësira që kanë mbetur mes pallateve, në ditët e fundit të kësaj bashkie po zihen me leje ndërtimi. Tirana ka mundësi të zgjerohet, të kultivojë industrinë e ndërtimit, të punësojë njerëz në ndërtim, përtej këtyre zonave tashmë të mbingarkuara. Konkretisht, ne do t’i rikthehemi projektit të zgjerimit të Bulevardit, por me përpjestueshmërinë mes barit dhe betonit siç ishte varianti i parë, ku respektohej shumë qartë hapësira publike”, tha Erion Veliaj.

Përfaqësues të biznesit kërkuan një klimë miqësore me Bashkinë e Tiranës, si dhe shmangien e konflikteve politike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt te sipërmarrja.

Top Channel