Debat në Parlament për “Ersekën” dhe zgjedhjet e 21 Qershorit

07/05/2015 00:00

Demokratët kanë denoncuar në podiumin e Kuvendit, dhunën e një dite më parë në Ersekë përpara fillimit të mitingut të kreut të tyre Lulzim Basha, si akt i porositur nga socialistët.

“Ky akt është i orkestruar nga Rama, nga qeveritarët dhe nga krerët e kësaj mazhorance. Kjo vërtetohet nga fakti që kryeministri hesht për herë të dytë kur kërcënohet kryetari i opozitës”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

Shqetësim për ngjarjen në Ersekë ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta: “Do të doja edhe unë të bashkohesha me shqetësimin e shprehur nga zoti Paloka dhe besoj se të gjithë jemi dakord që të merren masat më të ashpra ndaj personave përgjegjës”.

Debati për zgjedhjet e 21 Qershorit dominoi në sallën e Parlamentit, duke dëshmuar edhe një herë tensionimin e lartë politik të kësaj gare. Ashtu siç pritej, publikimi nga Berisha i regjistrimit të kryeministrit Edi Rama në një mbledhje me strukturat në Shkodër, ku sipas Berishës, Rama u kërkon sa më shumë vota drejtorëve të administratës, u bë objekt i replikave mes të dyve.

“Këto janë votat që duan prej jush, përndryshe ikni. Kjo është alternativa. Nëse të ka kapur kjo frikë kaq e madhe, mos dil në fushatë fare. Zgjedhjet janë në rrezik të madh. Keni fatin e Hasanit më 21 Qershor”, tha Berisha.

Rama u përgjigj: “Në mbledhjet tona, sigurisht që janë të pranishëm edhe drejtorët në administratë, të cilët janë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste dhe që nuk vijnë aty sepse janë drejtorë, por sepse janë pjesë e strukturave të partisë. Nëse ju do të gjeni raste që lidh administratën e shtetit me interesat e PS-së apo LSI-së, të jeni të sigurtë që përgjigja do të jetë e menjëhershme dhe krejt e kundërt nga ajo që keni dhënë ju. E mbani mend besoj një burrë plak që thonte se dhe Obama e përdor administratën për fushatë dhe patjetër që administrata do të bëjë fushatë për mue. Ne jemi shumë ndryshe nga ju”.

Top Channel