Sacchi: Messi, një gjeni i futbollit. Si ai, vetëm Maradona

07/05/2015 00:00

25 vite më parë ishte ai që diktonte ligjin në Europë, me Milanin e tij që ishte i aftë të fitonte dy herë radhazi Kupën e Kampionëve në vitet 1989 dhe 1990.

Megjithatë, pas mbrëmjes së djeshme, Arrigo Sacchi i ka hequr kapelën Barcelonës së Luis Enriques, pas performancës së treguar në “Camp Nou”, duke shpartalluar 3-0 Bayern Munchen në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Champions League.

E sigurisht, njëri ishte protagonist mbi të gjithë: Leo Messi.

“Ka rigjetur formën e jashtëzakonshme, duke lënë pas krahëve periudhën e vështirë që kaloi, – komenton Sacchi. – Messi është një lojtar unik dhe i kompletuar. Është një finalizues vdekjeprurës, por është i aftë edhe të kthehet në mesfushë për të ndihmuar skuadrën. Ta markosh atë është e pamundur. Eshtë i gjithë sistemi i skuadrës që duhet të funksionojë në perfeksion për ta ndaluar atë. Jemi përballë një gjeniu të vërtetë të futbollit, madje do ta krahasoja me Maradonën. Në këtë moment, askush nuk është si ai”.

Goli i tretë i shënuar nga Neymar, pas një kundërsulmi vdekjeprurës, duket se do të peshojë jashtë mase në fatet e Bayernit për ndeshjen e kthimit. “Të mëdhatë e Europës janë shpesh më të afta të sulmojnë, sesa të mbrojnë, – nënvizon Sacchi. – Është në natyrën e tyre dhe mënyrën e të interpretuarit të futbollit. E njëjta gjë vlen edhe për Guardiolën, i cili shpesh ka mundur të rregullojë ndonjë gjë falë presingut. Por në Europë vazhdojmë të shohim gabime të pafalshme në mbrojtje, që në kampionatin tonë do të ishin të paimagjinueshme. Për t’i bërë keq këtyre skuadrave duhet vetëm t’i sulmosh”.

Për të përmbysur rezultatin, Guardiola ka nevojë për një mrekulli të vërtetë në ndeshjen e kthimit në “Allianz Arena”. “Guardiola duhet të shpikë diçka. Kjo edhe për shkak se mbrëmë nuk luajti vetëm Messi, por e gjithë skuadra e Barcelonës. Më vjen keq për Pep, i cili është një trajner i madh dhe që i duhej të vihej përpara një sfide të tillë. Por e dinte edhe vetë ai, që në këtë sfidë nisej me një handikap të madh. Kundërshtari ishte në gjendje absolute, ndërsa ekipi i tij me probleme dëmtimesh”.

 

Top Channel