Afganistan, ushtria nis ofensivë madhore kundër talebanëve

07/05/2015 00:00

Qeveria afgane nisi një ofensivë madhore kundër talebanëve në afërsi të kryeqendrës së provincës verilindore të Kunduzit.

Kryengritësit i janë afruar rrezikshëm qytetit gjatë luftimeve të fundit, duke rrezikuar izolimin e plotë të tij, ndërsa frika e dhunës ka detyruar me mijëra vetë të braktisin shtëpitë.

Sipas korrespondentëve që raportojnë nga Kunduzi, të shtënat e armëve dhe zjarri i artilerisë dëgjohen deri pranë qendrës së qytetit. Zyrtarët afganë shprehen të bindur se, në krah të talebanëve luftojnë edhe xhihadistë të huaj, të stërvitur nga Shteti Islamik.

Nga pohimet e guvernatorit rajonal, Mohammed Omer Safi, rezulton se deri tani janë gjetur trupat e pajetë të 18 luftëtarëve të huaj, mes të cilëve edhe dy gra. Forcat afgane të sigurisë dhe talebanët janë përfshirë prej gati një jave në luftime të ashpra me rebelët, që prej mësymjes së Kunduzit prej këtyre të fundit, në muajin prill.

Avancimi i tyre përbën rrezikun më të madh, me të cilin është përballur kryeqyteti rajonal prej vitesh të tëra. Angazhimi i ushtrisë dhe policisë afgane është i madh, por ndonjë ndihmë të qenësishme nga trupat ndërkombëtare nuk ka pasur.

Pas përfundimit të misionit të tyre luftarak në muajin dhjetor, në Afganistan kanë mbetur vetëm disa mijëra ushtarë të NATO-s, të cilët kanë kryesisht rol trajnues.

Organizatat globale të ndihmës po përpiqen t’u ofrojnë çdo lloj asistence të mundshme personave të shpërngulur brenda qytetit dhe zonave rurale të Kunduzit dhe programi botëror i ushqimit është duke përgatitur për 500 familje kuti ndihmash me miell, vaj për gatim dhe biskota energjike. Por vazhdimi i luftimeve do të çonte drejt problemeve shumë më të thella për rajonin, për shkak se rrezikon të korrat e këtij muaji.

Top Channel