Çmimi i Madh i Spanjës, strategu i Ferrarit: Të fitojmë përmes ndalesave në “pit-stop”

07/05/2015 00:00

Skuderia nga Maranello ka nisur përgatitjet për Çmimin e Madh të Spanjës dhe Inaki Rueda, përgjegjës i strategjive të Ferrarit, e ka gati planin për të çuar Vettelin dhe Raikkonenin drejt fitores.

“Në Montmelo do të ketë shumë ndalesa në pit-stop, sepse është e nevojshme, por kjo do të ofrojë edhe një mundësi të mirë për të fituar disa pozicione në renditjen e garës. Në një pistë, ku është e vështirë të parakalosh, atëherë duhet të luajmë kartën e ndalesave, gjatë të cilave duhet të mendjomë mirë ndryshimet e gomave për t’u dhënë mundësi pilotëve tanë të parakalojnë kundërshtarët”, është shprehur strategu Rueda.

Pista e Barcelonës i konsumon jashtëzakonisht shumë gomat. “Është një pistë tradicionalisht shumë e vështirë për gomat, pasi i degradon ato. Nuk është rastësi, që gjatë viteve të fundit kemi parë të domosdoshme rritjen e numrit të ndalesave në pit-stop”, ka shtuar Rueda.

Megjithatë, ndryshime nuk do të ketë vetëm te Ferrari. “E dimë mirë, që në garën e parë europiane, të gjitha skuadrat zbresin në pistë me makina të ndryshuara dhe me më shumë zhvillime të reja, që praktikisht mund të quhen të reja krahasuar me ato që kemi parë në Bahrein. Sa na përket neve, shpresojmë që përmirësimet tona të na lejojnë t’u afrohemi edhe më shumë Mercedesëve”, ka deklaruar Rueda në faqen zyrtare të Ferrarit.

Top Channel