Rama: Çështja e pronave gangrenë, brenda 6 muajve do të sjellim ligjin e ri

07/05/2015 00:00

Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave ka qenë në fokus të debatit parlamentar këtë të enjte. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, problematika në fjalë është bërë edhe më e theksuar ndër vite, për shkak të ndryshimeve që ka bërë në ligj opozita e sotme kur ishte në pushtet.

“Ndër vite ligji ka qenë objekt i 14 ndërhyrjeve e ndryshimeve ligjore. Ligjit të vitit 2004 nuk i ka mbetur as nam e as nishan dhe ndryshimet e bëra kanë sjellë më shumë ilegalitet. Nuk ka më arsye që ky ligj të ekzistojë, ndaj brenda 6 muajve ne do sjellim ligjin e ri që zgjidh këtë problematikë, që na i lanë peshqesh këta që ikën me turp më 23 qershor”, ka thënë Rama.

Rama ka nënvizuar se, administrata e re ka bërë edhe një sistemim të dosjeve të lidhura me këtë çështje, të cilat sipas tij, janë shqyrtuar duke anashkaluar interesat klienteliste.

“Dosjet janë sistemuar dhe presin vendimmarrjen administrative pas një inventarizimi të kryer në atë magazinë, që ishte ndër shëmbëllytrat e turpshme të shtetit shqiptar, shtet i bërë copë-copë. Sot nuk ka më dosje të zgjedhura për t’u shqyrtuar sipas kërkesës së klientit të radhës. Të gjitha dosjet kanë dalë për shqyrtim dhe vijon puna administrative”, ka thënë Rama.

Sot, ka shtuar kryeministri, ekziston edhe një regjistër elektronik të vendimmarrjes në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave, ku janë regjistruar dhjetëra mijëra vendime.

 

Top Channel