Irani lë të lirë anijen “Maersk” dhe ekuipazhin me 24 anëtarë

07/05/2015 00:00

Irani ka lënë të lirë tashmë anijen e mallrave me flamur të Ishujve Marshall dhe ekuipazhin e saj, e cila u kap me forcë gjatë muajit të kaluar, në një prej rrugëve detare më të rrahura nga anijet që transportojnë edhe naftë. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia Studentore e Lajmeve, ISNA, që ka cituar një zyrtar të Ministrisë së Jashtme këtë të enjte.

Anija u detyrua të devijonte kursin më 28 prill prej varkave iraniane të patrullimit detar, në ngushticën e Hormuzit, duke detyruar Shtetet e Bashkuara të dërgonin anije luftarake për të monitoruar situatën dhe për të shoqëruar anijet me flamuj amerikanë të kalonin përmes asaj ngushtice, që ndan vendet e Gjirit Persik nga dalja në Oqeanin Indian.

“Anija e mallrave Maersk është lënë e lirë dhe tashmë është larguar nga ujërat territorialë të Iranit”, raportohet të ketë thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme iraniane, Marzieh Afkham, sipas ISNA-s.

Incidenti me “Marsk”-un koincidoi me tensionet gjithnjë e në rritje mes rivalëve të përjetshëm të rajonit, Iranit dhe Arabisë Saudite, në lidhje me luftën civile në Jemen, ku këto dy superfuqi rajonale mbështesin palë të kundërta.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, duke cituar një burim të informuar mbi ngjarjen, tha se Organizata Portuale e Anijeve e Iranit do të lëshojë një deklaratë brenda pak orëve, për të dhënë detajet mbi lirimin e “Maersk Tigris”. Anija mësohet të jetë daneze, kompania e së cilës ka këmbëngulur prej ditësh për lirimin e saj dhe të ekuipazhit prej 24 vetësh.

 

Top Channel