PD: Rama-Meta, përgjegjësi për dhunën në Ersekë

07/05/2015 00:00

Partia Demokratike ka dënuar sërish “me forcë” përpjekjet e dështuara, sipas saj, të dyshes Rama-Meta për të kamufluar dhunën politike të urdhëruar dhe orkestruar prej saj në aktivitetin elektoral të kryetarit të opozitës në Ersekë.

Përmes një reagimi publik paraditen e së enjtes, PD është shprehur se, “përpjekja mjerane” për të kamufluar identitetin e autorit të dhunës nxjerr edhe më zbuluar autorët e vërtetë të këtij akti, dyshen Rama-Meta.

Zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebiaj ka treguar edhe disa foto që tregojnë, sipas saj se, agresori Suel Liço është pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, siç edhe njihet publikisht nga banorët e Ersekës.

“Mosdënimi i sulmit ditën e djeshme dhe mashtrimi i opinionit sot dëshmojnë qartë se prapa këtij sulmi të dhunshëm në Ersekë nuk qëndron askush përveç Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Partia Demokratike paralajmëron me forcë dyshen Rama-Meta se do të mbajnë përgjegjësi personale të plotë dhe të gjithanshme për tensionimin e fushatës elektorale dhe aktet e dhunës kundër opozitës. Dyshen Rama-Meta e ka zënë paniku prej ditës së gjykimit që po afron.

PD u bën thirrje anëtarëve, simpatizantëve dhe mbarë qytetarëve që të zgjerojnë dhe forcojnë bashkimin tonë për t’i thënë jo oligarkisë Rama-Meta, për t’i thënë jo dhunës dhe terrorit, për të larguar me votë të keqen që ka mbërthyer vendin”, ka deklaruar Nebiaj.

Top Channel